Kosovë, 28 subjekte politike regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të enjten se 28 subjekte politike janë regjistruar dhe kanë dorëzuar listat e kandidatëve për zgjedhjet e reja parlamentare që pritet të mbahen me 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Prej tyre 20 janë parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndërkaq numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësojnë këto subjekte politike është një mijë e 280 kandidatë”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror, Valmir Elezi.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, 28 subjekte politike regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Ai theksoi se tani ky institucion do të kërkojë nga autoritetet përgjegjëse të kryejnë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Më së largu deri më datën 25 dhjetor Komisioni Qendror i Zgedhjeve përmbyllë procesin e verifikimit. Por besojmë se që nga java e ardhshme KQZ do të mund të filloj me certifikimin e grupeve të ndryshme të subjekteve politike varësisht edhe nga përgjigjet që do të pranojmë nga këto institucione. Gjithashtu sipas planit tonë të aktiviteteve tërheqja e shortit për renditje në fletvotim është paraparë për fillim të vitit të ardhshëm”, tha zoti Elezi.

Gjashtë subjekte janë nga radhët e komunitetit serb.

Me 14 shkurt të vitit 2021, lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti së bashku me lëvizjen Guxo të presidentes Vjosa Osmani, dolën fituese në zgjedhjet parlamentare duke siguruar mbi 50 për qind të votave.

Të dy udhëheqësit vitin e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë, të cilët kanë kritikuar disa nga veprimet e qeverisë kundrejt situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por nismat e tyre dështuan duke bërë duke e bërë kësisoj qeverinë aktuale, të parën në vend që çon mandatin e saj deri në fund.