“Gabimi më i madh që ia fala shumë herë”, rrëfimi i një të mbijetuare të dhunës në familje

Ermira, rrëfimi i një të mbijetuare të dhunës në familje

Në Kosovë të dhënat e policisë tregojnë se në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar mbi dy mijë e 500 raste të dhunës në familje, që në të shumtën e rasteve është dhunë ndaj gruas. Zëri i Amerikës bisedoi me një të mbijetuar të kësaj dhune e cila aktualisht po qëndron në një nga shtëpitë e sigurta në Kosovë, për të pestën herë brenda një periudhe gjashtë vjeçare. Drejtuesit e strehimores thonë se rreth 25 për qind e të mbijetuarave që kanë qëndruar në strehimore përgjatë këtij viti janë raste të rikthyera nga dy deri në katër herë. Veprimtarët ndërkaq tërheqin vërejtjen se rastet e përsëritura të dhunës po shndërrohen në femicid.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, e mbijetuara e dhunës në familje rrëfen historinë e saj

Ermira, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë por është ndryshuar për çështje sigurie, u rrit në një familje shumëanëtarëshe në një fshat të Kuksit në Shqipëri.

“Nuk ka qenë fort jetë e lumtur sepse aty te shtëpia ime nuk të linte babai të dilje jashtë fare”, rrëfen ajo.

Ermira mbaroi vetëm shkollën fillore dhe me të mbushur të 20-at, babai i saj vendosi ta martonte në një qytet të Kosovës.

“Fillimi i martesës ka shkuar një herë mirë, deri kur linda djalin. Pas lindjes së djalit, filluan problemet, torturat, dhunë psikologjike, rrahje, krejt rend”, thotë ajo.

Bashkëshorti, rreth dyfish më i vjetër se ajo, kryesisht për shkaqe xhelozie siç rrëfen Ermira për Zërin e Amerikës, ushtronte dhunë mbi të dhe djalin.

Për gjashtë vjet, Ermira, qëndroi me të përkundër dhunës së vazhdueshme fizike e psikologjike, e cila siç rrëfen ajo e ka shtyrë në disa raste të provojë t’i jap fund jetës.

“E kam kapur thikën dhe aq shumë kam qenë nervoz, e kam pasur edhe djalin aty dhe as nuk e kam ditur që e kam prapa vetes. Djali vraponte duke më thënë që ‘largoje thikën mami mos’.

Aktualisht Ermira ndodhet në një nga shtëpitë e sigurta në Kosovë, të cilat strehojnë të mbijetuarat e dhunës në familje.

Pa edukim, e papunë dhe pa mbështetje të familjes, ajo thotë se sfidën më të madhe tani e ka gjetjen e strehimit të përhershëm dhe punësimin.

“Mbështetjen e familjes nuk e kam fare. Babai më ka kërcënuar, vëllai i madh më ka kërcënuar me jetë, nuk mund të kthehem në Shqipëri. Po të ishte një baba që thotë të mbështes, por jo…Më kanë kërcënuar, më kanë thënë që nëse vjen në Shqipëri të vrasim, rri me atë njeri. Nuk po mund të çoj jetë sepse unë jam ajo që po rrihem, unë jam duke u ofenduar, jo babai im as vëllai im”, thotë Ermira.

Në të njëjtën shtëpi të sigurt, Emira ka qëndruar edhe katër herë të tjera përgjatë viteve të martesës së saj.

“Ju kisha thënë grave që as mos provoni të ktheheni më, as edhe një shancë, veç unë e kam bërë, pesë herë për hir të djalit. Por fare, as për hir të fëmijëve as asgjë, jeto e lirë më mirë, mos rri me një dhunues”, thotë Ermira.

Drejtuesit e strehimores i thanë Zërit të Amerikës se nga muaji janar deri tani në këtë institucion kanë kërkuar strehim mbi 140 persona, ndërsa gjatë tërë vitit të kaluar kanë qenë të strehuar 171 persona. Rreth 25 për qind e të mbijetuarave që kanë qëndruar në strehimore përgjatë këtij viti janë raste të rikthyera nga dy deri në katër herë.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës i tha Zërit të Amerikës se rastet e përsëritura të dhunës po shndërrohen në femicid.

“Neve sivjet na është vrarë një grua në dyert e Qendrës për Punë Sociale, na është vrarë një grua e cila për vite me radhë rastin e ka raportuar në institucione. Mirëpo për shkak të stigmës, për shkak të presionit social që gratë kanë, e ndjera është përpjekur në forma të ndryshme ta shpëtojë martesën e cila fatkeqësisht e çoi deri te vrasja, deri te vdekja e saj”, tha ajo.

Zonja Berisha thotë se dhuna në familje, që kryesisht është dhunë ndaj gruas, mbetet dukuri shqetësuese në Kosovë. Ajo njeh përparim në luftën kundër kësaj dukurie, me theks të posaçëm në rregullimin e kuadrit ligjor, por thotë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë.

“Nëpërmjet sistemit të arsimit ne t’i edukojmë të rinjtë e të rejat, fëmijët tanë për liritë, për të drejtat dhe për respektimin e këtyre lirive dhe të drejtave të njëri tjetrit. Kjo është këshillë e kamotshme e Rrjetit të Grave e cila është tërësisht e nevojshme momentalisht. E dyta, mendoj që gjykatat duhet të jenë më serioze në vendimet që i marrin. Ne nuk e kemi synimin që secilin burrë ta fusim në burg, mirëpo e kemi një Kod Penal i cili për çdo vepër ka paraparë edhe dënimet, prandaj edhe gjykatat duhet vetëm të qëndrojnë prapa këtyre dënimeve”, thotë ajo.

Gjatë një veprimtarie në kuadër të fushatës 16 ditëshe kundër dhunës mbi bazë gjinore në Kosovë, e cila u hap javën e kaluar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tërhoqi vërejtjen se në vetëm rreth dy për qind të rasteve gjykatësit shqiptojnë dënime me burgim, ndërkaq në 98 për qind të rasteve shqiptojnë vetëm dënime me gjoba ose me kusht.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës nga janari i këtij viti deri në muajin tetor janë regjistruar mbi dy mijë e 500 raste të dhunës në familje, ndërkaq gjatë tërë vitit të kaluar ishin raportuar dy mijë e 639 raste.

Që nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.