Kosovë, dyfishohet numri i të prekurve nga HIV AIDS gjatë vitit 2024

Dita ndërkombëtare e luftës kundër HIV/AIDS e gjen Kosovën këtë vit me 29 raste të reja të personave të prekur me këtë virus, që shënon dyfishim rastesh në krahasim me një vit më parë, kur ishin regjistruar 14 syresh.

“Është një informim jo i mjaftueshëm i të rinjve lidhur me vet sëmundjen pastaj lidhur me mënyrën e transmetimit të sëmundjes, gjithashtu vazhdon edhe më tutje të jetë në nivel të lartë stigma ndaj kësaj sëmundjeje dhe të gjitha këto bëjnë që të kemi një numër të lartë të rasteve”, thotë shefi i repartit për trajtimin e rasteve me HIV/AIDS në Klinikën Infektive të Kosovës, Murat Mehmeti, në një bisedë me Zërin e Amerikës.

Ai thekson se personat e prekur nga HIV janë të moshës 20 deri 25 vjeç.

“Fakti se pothuajse të gjithë këto raste të reja që kemi pasur sivjet i takojnë komunitetit homoseksual dhe në anën tjetër dihet se mundësia e transmetimit HIV infeksionit te komuniteti homoseksual është shumë më i madh se sa për shembull tek komunitetet tjera përkatësisht heteroseksualët. Sigurisht edhe ky element është mjaft i rëndësishëm në kuptimin e transmetimit dhe rritjes së numrit të rasteve të reja”, tha ai.

Ai thotë se aktualisht në Kosovë janë rreth 100 persona të infektuar me HIV që marrin trajtime në Klinikën Infektive por se asnjëri prej tyre nuk është i shtrirë në spital dhe të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme.

Ekspertë të shëndetësisë thonë se popullata duhet të ndërgjegjësohet më shumë rreth rrugëve të infektimit dhe se kjo do të luante edhe një rol të rëndësishëm në shmangien e rritjes së rasteve.

Doktoresha Edona Dobroshi Deva, që është menaxhere e programit të Fondit Global për HIV në CDF (Fondin e Zhvillimit të Komunitetit), thotë për Zërin e Amerikës se sfidë në trajtimin e personave të prekur me HIV mbetet stigma dhe diskriminimi.

“Kjo sëmundje sado që është vënë në kontroll në suaza globale nuk mund të mposhtet beteja ndaj saj nëse e konsiderojmë këtë sëmundje të disa personave apo të disa grupeve apo popullatave, kjo është një sëmundje kronike që mund t’i ndodh çdokujt dhe duhet kuptuar që diversiteti dhe qasja e barabartë në shërbime shëndetësore janë kyçe në adresimin e kësaj sëmundjeje”, thotë ajo.

Në fushën e parandalimit të përhapjes, zonja Deva thotë se me rëndësi është zbulimi i hershëm i rasteve.

“Shumë më e rëndësishme është gjetja dhe identifikimi i rasteve, do të thotë gjetja e atyre që janë në rrezik për infeksion, identifikimi i rasteve pozitive pastaj referimi deri në trajtim dhe pastaj monitorimi i trajtimit që është shumë i rëndësishëm në aspektin e uljes së ngarkesës virale tek këta persona që do të thotë se këta persona mund të jetojnë një jetë relativisht të shëndetshme, pra të rritet kualiteti i jetës së tyre, të jenë të aftë për punë dhe veprimtari të ndryshme në jetë”, thotë zonja Deva.

Në Kosovë rasti i parë me Hiv/Aids është paraqitur në vitin 1986 dhe që nga atëherë e deri tash janë mbi 200 raste me HIV, prej të cilëve rreth 50 kanë humbur jetën. Me këtë numër rastesh në 38 vjet, Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të ultë të SIDA-s, por zhvillimet socio ekonomike e vënë atë në grupin e vendeve me faktorë të lartë të rrezikut.