“Sot dhe çdo ditë tjetër” - nis fushata kundër dhunës ndaj gruas në Kosovë

“Shumë shpejt pas martesës, pas tre muajsh, mora goditjen e parë. Më kujtohet edhe përse ndodhi goditja, na kishin ardhur miq në shtëpi e i kisha pritur me zemër të hapur dhe buzëqeshje ashtu siç e kemi zakon, brenda kufijve të kulturës sonë. Por kjo i kishte penguar bashkëshortit tim dhe sapo shkuan mysafirët ai filloi të më godiste në fytyrë, trup, për flokësh dhe më tha se nuk i kisha parë me sy të mirë mysafirët meshkuj”

Kjo është një pjesë e rrëfimit të një gruaje në Kosovë, e mbijetuar e dhunës në familje, që u lexua të hënën mbrëma gjatë hapjes së fushatës 16 ditëshe kundër dhunës mbi bazë gjinore në Kosovë.

Mbi dy mijë rrëfime të ngjashme të dhunës ndaj gruas regjistrohen çdo vit në policinë e Kosovës nga të mbijetuarat e dhunës në familje, që vazhdon të jetë dukuri shqetësuese në Kosovë.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës nga janari i këtij viti deri në muajin tetor janë regjistruar dy mijë e 585 raste të dhunës në familje, ndërkaq gjatë tërë vitit të kaluar ishin raportuar dy mijë e 639 raste.

Ariana Qosaj Mustafa nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, tha se në luftën kundër kësaj dhune, mangësitë e vazhdueshme në sistemin ligjor, zbatimi i pamjaftueshëm i ligjeve si dhe boshllëqet në llogaridhënie për kryesit e dhunës, duhet të trajtohen me urgjencë.

“Fatkeqësisht edhe pse kemi bërë ndryshimin e Kodit Penal, kemi sfida. Ende gjykatësit në prevalencë do të thoja në dy për qind të rasteve shqiptojnë dënime me burgim, ndërkaq në 98 për qind të rasteve shqiptojnë vetëm dënime me gjobë ose me kusht”, tha ajo.

Arnhild Spence, bashkërenduese për zhvillim e Kombeve të Bashkuara tha se një shkallë e lartë e dhunës ndaj gruas është pengesë e madhe në zhvillimin e vendit.

“Kur gratë janë subjekt i dhunës, Kosova nuk mund të arrijë barazinë gjinore e rrjedhimisht nuk mund të shënojë përparim dhe nuk mund të ndërtojë një shoqëri të drejtë. Në planetin tonë çdo dhjetë minuta një grua vritet, rreth një në tre gra në botë përjeton dhunë. Pas këtyre shifrave ka rrëfime të patreguara të dhimbjes”, tha zonja Spence.

Në muajin prill të këtij viti, dy gra, një në Pejë e tjetra në Ferizaj, u vranë nga bashkëshortët e tyre. Ndërkaq në muajin gusht një grua vdiq nga plagët e shkaktuara nga bashkëshorti i saj në një fshat të komunës së Graçanicës.

Që nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

Autoritetet e Kosovës u zotuan sot për angazhim të shtuar në luftimin e kësaj dukurie.

“Dhuna në çdo formë është një shkelje e të drejtave të njeriut, një pengesë për mirëqenien e individit dhe një sfidë për të ardhmen tonë si shoqëri. Në çdo rast dhune është përgjegjësia jonë si institucione dhe si qytetarë që të mos lejojmë që ajo të mbetet pa u trajtuar. Këto 16 ditë të aktivizmit nuk janë thjeshtë një periudhë simbolike por janë një thirrje për veprim të pandërprerë dhe të palëkundur”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherësh bashkërenduese kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje.

“Bashkë të jemi mburojë kundër dhunës, të mos lejojmë që frika të mbizotërojë jetën e askujt, të mos heshtim përballë padrejtësive, të mos arsyetojmë dhunën sepse nuk ka arsyetim, dhuna nuk është traditë, dhuna nuk është zgjidhje. Dhimbja e viktimave nuk duhet të jetë as personale as individuale por kolektive e komunitare. Të turpëruar e të dënuar duhet të jenë vetëm dorasit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Fushata e filluar të hënën në mbrëmje me moton “sot dhe çdo ditë tjetër” përkon me 25 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave.