Rizgjedhja e republikanit Donald Trump si president i Shteteve të Bashkaura të Amerikës, ka rikthyer në vemendje në Kosovë çështjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë që u arrit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të tij të parë. Siç njofton korrespondentja, Edlira Bllaca, gjatë një debati të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë u tha se mungesa e vullnetit politik për zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2020 paraqet një mundësi të humbur për të dyja palët.
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të premten se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë ishte më afër në vitin 2020 kur palët nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, sesa që është tani.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për katër vjetorin e arritjes së asaj marrëveshjeje që u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e ish Presidentit Donald Trump, i cili doli fitues në zgjedhjet e këtij muaji.
Ish kryeministri Hoti tha sot se marrëveshja i mundësoi Kosovës të trajtohet ndërkombëtarisht si një sfidë për integrimin euroatlantik, ndërkaq tani ajo trajtohet si sfidë e sigurisë.
“Unë besoj që kjo nuk na shërben në asnjë drejtim, as atë politik. Por çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe? Është ndërtuar një status quo e re, e përkthyer në terma konkret kjo nënkupton që nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe aneksi në Ohër dhe tani ka një trysni për zbatim të disa aranzhimeve të parapara në të, duke e ngrirë situatën për një kohë tjetër”, tha zoti Hoti, i cili aktualisht është deputet i Lidhjes Demokratike në parlamentin e Kosovës.
Njohësi i zhvillimeve politike Adriatik Kelmendi, tha se përfshirja më e madhe e Shteteve të Bashkuara në ndërmjetesimin e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë, është kërkesë e vazhdueshme e Kosovës.
“Qasja në Uashington ka qenë që nëpërmjet normalizimit ekonomik të krijohet hapësira që më butë, më lehtësisht, më natyrshëm të ecet drejt marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Unë besoj se kjo ishte qasja më e drejtë. Të kujtojmë përse, e dimë se në Luftën e Dytë Botërore, pikërisht kanë qenë marrëveshjet ekonomike dhe bashkëpunimi ekonomik ato që kanë bërë që shtetet më antagoniste të bashkëpunojnë dhe madje të bëhen simbol i përparimit”, tha ai.
Zoti Kelmendi thotë se mungesa e vullnetit politik nga Serbia dhe Kosova për të zbatuar këtë marrëveshje nënkupton një mundësi të humbur.
“Të mos harrojmë, shteti në të cilin është nënshkruar ajo marrëveshje e ka njohur Kosovën, e ka ndihmuar Kosovën, aty është marrë bekimi edhe për ndërrimin e mandatit të FSK-së dhe rrugëtimin e saj drejt formimit të ushtrisë si dhe është shteti të cilin po të na pyesni të gjithë ne që jemi këtu dhe gjithë spektrin politik në vend se kush e garanton përfundimin pozitiv të këtij procesi në arenën ndërkombëtare, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Në dokumentin e nënshkruar në praninë e Presidentit Trump parashikohej vënia në jetë e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe projekte të tjera me një vlerë të përgjithshme që siç u tha atëherë e kalon shifrën 1 miliard euro.
Lëvizja Vetëvendosje atë kohë në opozitë, e kishte parë me rezerva marrëveshjen duke vlerësuar ndërkaq si shumë të rëndësishme njohjen e Kosovës nga Izraeli që ishte pjesë e marrëveshjes.
25 vjet pas luftës, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore.
Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.