Putin nënshkruan ligjin mbi mbrojtjen e ndërsjellë me Korenë e Veriut

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi ligjin mbi një traktat për partneritetin strategjik të Rusisë me Korenë e Veriut, i cili përfshin edhe mbrojtjen e ndërsjellë, sipas një dekreti të publikuar të shtunën.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Presidenti Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un në muajin qershor pas një takimi në Phenian, i bën thirrje secilës palë që t'i vijë në ndihmë tjetrës, në rast të një sulmi të armatosur.

Lexoni edhe këtë Putin - Kim nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen të ndërsjellë

Dhoma e Lartë e parlamentit rus e ratifikoi traktatin këtë javë, ndërsa dhoma e ulët e miratoi atë muajin e kaluar. Presidenti Putin nënshkroi një dekret mbi ratifikimin, që u shfaq të shtunën në një faqe interneti të qeverisë, që përshkruan procedurat legjislative.

Marrëveshja forcon lidhjet më të ngushta midis Moskës dhe Phenianit që kur Rusia filloi agresionin e saj në shkallë të gjerë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Raportet nga Koreja e Jugut dhe vendet perëndimore thonë se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armatim. Ekspertët ukrainas thonë se kanë gjetur gjurmë të armëve veri-koreane në vendet e sulmeve ruse.

Lexoni edhe këtë Pentagoni: 10 mijë trupa koreane janë dislokuar në Rusi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se Koreja e Veriut ka dërguar 11,000 trupa në Rusi dhe disa prej tyre pësuan në luftimet me forcat e Kievit në rajonin jugor të Rusisë, Kursk.

Rusia nuk e ka konfirmuar praninë e trupave të Koresë së Veriut.