Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un nënshkruan një pakt të ri që përfshin zotimin për ndihmë të ndërsjellë nëse njëri prej vendeve të tyre sulmohet. Marrëveshja, për të cilën ata thanë se mbulonte fusha si mbrojtja, tregtia, lidhjet kulturore dhe humanitare, shënon lidhjen më të rëndësishme mes Moskës dhe Phenianit që nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Marrëdhëniet e Koresë së Veriut dhe Rusisë janë ngritur në nivelin e aleancës, tha të mërkurën udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un.
Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Korenë e Veriut të mërkurën në mëngjes, pasi tha se të dy vendet duan të bashkëpunojnë ngushtë për të anashkaluar sanksionet e Perëndimit e mes përplasjesh të intensifikuara me Uashingtonin.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ngritur në nivelin e një aleance. Kjo ka siguruar një bazë ligjore, mbi të cilën ne mund të përmbushim planin madhështor të dy qeverive dhe dëshirat e njerëzve tanë për të ndërtuar vende më të forta, duke garantuar siguri për botën dhe rajonin”, tha udhëheqësi koreano-verior gjatë një konference të përbashkët për shtypin pas takimit me homologun rus, Putin.
Presidenti rus tha se marrëveshja e nënshkruar të mërkurën është një pakt i partneritetit strategjik që përfshin edhe një klauzolë për mbrojtje reciproke, përballë një agresioni të jashtëm.
Presidenti Putin tërhoqi vëmendjen ndaj deklaratave të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s, që siç tha ai kanë rënë dakord të lejojnë Ukrainën të godasë objektiva brenda Rusisë me armë të furnizuara nga Perëndimi.
“Ato nuk janë vetëm deklarata, ato tashmë po ndodhin. Kjo shkel hapur përgjegjësitë ndërkombëtare që morën vendet perëndimore. Në këtë drejtim, Rusia nuk e përjashton zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak-teknik me Korenë e Veriut në përputhje me dokumentin e nënshkruar sot”, tha Presidenti Putin.
Vizita e parë e Presidentit Putin në Korenë e Veriut pas 24 vjetësh vjen mes shqetësimeve në rritje për një marrëveshje armësh, falë së cilës Koreja komuniste i siguron Moskës armatime për luftën në Ukrainë. Në këmbim, Pheniani pritet të marrë ndihmë ekonomike dhe teknologji që mund të rrisin rrezikun që paraqet programi i armëve bërthamore dhe ai i raketave të Koresë së Veriut.
Nuk është e qartë se çfarë konkretisht parashikon marrëveshja, por Park Won-gon, profesor i studimeve të Koresë së Veriut në Universitetin ‘Ewha Womans’, thotë se arsyeja pse lidhjet Rusi - Kore e Veriut kanë arritur këtë pikë është lufta në Ukrainë.
“Duke qenë se lufta në Ukrainë është zgjatur, Rusia i është afruar shumë Koresë së Veriut për shkak të mungesës së furnizimeve luftarake, predhave dhe raketave për përdorim në luftë. Kjo e çoi Putinin në Korenë e Veriut, që do të thotë se ka dyshime të konsiderueshme nëse ky nivel bashkëpunimi do të vazhdojë mes dy vendeve nëse lufta në Ukrainë përfundon në të ardhmen”, thotë Profesori Park Won-gon.
Dr. Edward Howell nga organizata “Chatham House” dhe ligjerues në Universitetin e Oksfordit thotë se marrëdhënie është interesi.
“Më e rëndësishmja është ajo që Kim Jong-un dëshiron më shumë se çdo gjë, një ushtri të avancuar, përkrahje satelitore dhe për armët bërthamore. Deklarata e përbashkët nga takimi nënvizon se si në të vërtetë kjo marrëdhënie mund të shkojë përtej kufijve të luftës në Ukrainë”, thotë Dr Howell.
Vizita e udhëheqësit rus, që ishte e pritshme të riformësojë dekada të marrëdhënieve Rusi-Kore e Veriut, po vëzhgohet nga afër nga Seuli dhe Uashingtoni, të cilët kanë shprehur shqetësimin për lidhjet e tyre ushtarake në rritje.