Kosovë, thirrje për drejtësi ndaj të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë luftës

Udhëheqës institucionesh e veprimtarë vendës e ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, thanë të mërkurën në Prishtinë se paqja nuk është e plotë as e qëndrueshme pa drejtësi ndaj të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, thirrje për drejtësi ndaj të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë luftës

Këto komente u bënë përgjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare “Avancojmë të Drejtat, Ndryshojmë Jetët e të Mbijetuarve”, organizuar nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me rastin e 25 vjetorit të themelimit të saj.

“Në këtë moment jubilar dua të them se ky është fillim i një kapitulli të ri, rruga përpara është ende e gjatë dhe sfidat janë ende të mëdha pasi ka shumë gra, vajza, burra që ende vuajnë në heshtje nën petkun e turpit dhe fajësisë në familjet e tyre. Të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës mbajnë me vete plagë të thella që nuk i sheh syri, ne nuk i shohim po i ndien shpirti dhe zemra e tyre. Ato kanë nevojë për ne, për përkushtimin dhe dashurinë tonë, për të mos u ndjerë të vetme në këtë rrugëtim të vështirë. Drejtësia për to nuk është një luks, është një e drejtë themelore dhe ne nuk do të ndalemi derisa të arrihet drejtësia për to”, tha drejtoresha e kësaj organizate, Feride Rushiti.

Në ditën e sotme të vitit 2018, Vasfije Krasniqi Goodman, u bë e mbijetuara e parë e përdhunimit nga forcat serbe që foli pa e fshehur identitetin, duke i dhënë zë vuajtjes dhe tmerrit të rreth 20 mijë të mbijetuarve të tjerë të këtij krimi gjatë luftës në Kosovë.

Gjashtë vjet pas, zonja Krasniqi Goodman, thotë se drejtësia për të mbijetuarit e këtij krimi të luftës deri tani ka dështuar.

“Për të gjithë ju ky mund të jetë thjeshtë një rrëfim por për mua ky moment më kthen në datën 14 prill të vitit 1999 dhe kjo është një ngjarje që pavarësisht se sa kohë kalon, nuk do të largohet kurrë. Një luftë nuk sjell kurrë asgjë të mirë por kur është një luftë ndërmjet ushtarëve është ndryshe, por të jesh civil, të jesh grua e të jesh fëmijë dhe të gjendesh në duart e armiqve, me këtë nuk mund të krahasohet asgjë në botë”, tha ajo.

Një çerek shekulli pasluftës, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare vetëm një person është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerje të këtij lloj krimi.

Udhëheqësit e Kosovës u zotuan për mbështetje të vazhdueshme në betejën e gjatë dhe të vështirë për drejtësi.

“Padrejtësitë nuk duhet asnjëherë të kalojnë në heshtje dhe drejtësia nuk arrihet pa imbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra. Prandaj edhe fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë pikërisht te lufta për drejtësi”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Si shtet e shoqëri ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Doktor Denis Mukwege, laureat i çmimit Nobel për Paqe, që njihet për ekspertizën e tij në botë për trajtimin e dhunës seksuale gjatë luftës, tha se të mbijetuarit e përdhunimeve vazhdojnë të përballen me mospranim në shoqëri duke tërhequr vërejtjen se kjo shkakton riviktimizimin e tyre.

“Le të ripohojmë këtu me zë të lartë dhe të qartë se viktimat nuk janë kurrë fajtorë për krimet e përjetuara. Stigma, përçmimi dhe turpi duhet të transferohen në vendin e tyre të duhur, mbi supet e porositësve të tyre që janë të vetmit përgjegjës për këto krime të rënda”, tha ai.

Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, besohet se ky numër është rreth 20 mijë. Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit tyre dhe deri tani sipas të dhënave zyrtare, mbi dy mijë persona kanë aplikuar për të marrë këtë status, mbi një mijë 160 prej të cilëve tashmë janë verifikuar, mbi 300 janë refuzuar dhe të tjerët po trajtohen nga komisioni qeveritar