Kosovë, debate në distancë ndërmjet pushtetit e opozitës rreth FSK-së

Opozita dhe pushteti në Kosovë debatuan me tone të ashpra në distancë rreth Forces së Sigurisë, duke shpalosur polarizimin e thellë politik në parlamentin e vendit.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë për mënyrën e trajtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ngecje në përmbushjen e planit dhjetë vjecar të shndërrimit të saj në ushtri, ndërsa pushteti e cilësoi këtë si propagandë.

Opozita thirri seancë të jashtëzakonshme të parlamentit pas raportimeve të ditëve të fundit mbi problemet në zinxhirin e furnizimit me ushqime të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Mos të harrojmë ne jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë të trajtohet me përparësi dhe dinjitet. Gatishmëria e FSK-së për të kontribuar në paqe dhe siguri kërkon mbështetje të plotë nga të gjitha institucionet e Kosovës. Pyetja që ne si deputet duhet të shtrojmë sot është se si mund të jemi të sigurt nga kjo shumicë që don ta zbatojë planin dhjetë vjeçar të transformimit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s nëse nuk arrin të menaxhoj as furnizmin me ushqim për ushtarët tanë”, tha Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së është një sinjal i qartë i problemeve të menaxhimit dhe mungesës së përgatitjes afatgjate. Tani e kanë kuptuar se ashtu sic nuk ishte i aplikueshëm koncepti i shërbimit të detyrueshëm ushtarak edhe ideja për ngritjen e kapaciteteve të vetqëndrueshmërisë në ushqim është një ide që do të komprometoj Forcën e Sigurisë, komandanti i saj ka paralajmëruar përveç mungesës së ushqimit edhe rrezikun nga helmimet edhe ndërprerjen e aktiviteteve të planifikuara ushtarake nëse nuk merren masa urgjente për situatën”, tha Hisen Berisha nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

“FSK-ja duhet të furnizohet me ushqime që janë certifikuar sipas standardeve të NATO-s. Në shumicën e shteteve të NATO-s ushqimi i ushtarëve menaxhohet nga kompani të specializuara të cilat janë të njohura për përmbushjen e këtyre standardeve të rrepta. Mungesa e transparencës në procesin e tenderimit, kontraktimi i kompanive të pakualifikuara dhe dështimi për të ndjekur standardet ndërkombëtare janë një dështim flagrant për të respektuar këto detyrime dhe janë cenim i sigurisë kombëtare”, tha Anton Çuni nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Seanca u bojkotua nga deputetët e partisë në pushtet - lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e qeverisë. Por, në një konferencë shtypi, Enver Dugolli nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, mohoi akuzat për keqmenaxhim duke theksuar se janë pjesë e propagandës që sic tha udhëhiqet nga opozita.

“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga partitë opozitare është vazhdimësi e një serie dezinformatash që synon tash e sa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim për të dobësuar rolin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila këto katër vitet e fundit ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm, pra është më e fuqishme dhe më e përgatitur se asnjëherë më pare”, tha ai.

Zoti Dugolli tha se furnizimi me ushqim bëhet në mënyrë të rregullt dhe cilësore, duke theksuar se buxheti që qeveria aktuale ndan për Forcën e Sigurisë tejkalon parashikimet e planit të shndërrimit të saj në ushtri.

“Pra për këto tri vite qeverisje buxheti për ushtrinë e Kosovës ka qenë 604 milionë euro, ndërsa sipas planit gjithëpërfshirës të tranzicionit është paraparë pra për këto vite 352 milionë euro, pra jemi shumë herë më fuqishëm e më mirë sesa ai plani gjithëpërfshirës i tranzicionit i cili në vitin 2027 e ka paraparë që që të jetë buxheti 109 milionë, ne e kemi përshpejtuar aq shumë saqë thënë të drejtën as optimisti më i madh nuk e ka paraparë një investim kaq të madh për mbrojtje dhe siguri”, tha ai.

Deri tani furnizimi me ushqim i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është bërë nga kompani të jashtme që kontraktohen nga ministria e Mbrojtjes. Por para pak ditësh ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për rekrutimin e më shumë se 100 kuzhinierëve dhe personelit mbështetës që do të kujdesen për ushqimin. Deri në përmbylljen e tij, ushqimi për FSK-në përgatitet nga kuzhinier të angazhuar me memorandum bashkëpunimi mes mensës së studentëve dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha në një postim në rrjetet sociale se procedurat e lidhjes së kontratave me operatorët ekonomikë dhe ankesat e tyre kanë krijuar probleme të vazhdueshme duke theksuar se me këtë koncept të vetqënrueshmerisë synohet garantimi i shërbimit të duhur e cilësor për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.