Grupe qytetarësh e përfaqësues institucionesh në Prishtinë iu bashkuan të dielen nismës ndërkombëtare “Race for the Cure”, vrapim ndërgjegjësues rreth parandalimit të kancerit të gjirit dhe mbështetjes për të prekurit nga kjo sëmundje.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e krijimit të kushteve që gratë të kontrollohen vazhdimisht meqë zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ofron mundësi më të mëdha për shërimin e saj.
Your browser doesn’t support HTML5
“Duke u mbledhur sot këtu ua kujtojkë të gjithëve se kanceri i gjirit është një sfidë që e tejkalojmë përmes edukimit, mbështetjes dhe më së shumti përmes veprimit. Por puna jonë nuk ndalet te vija e finishit të garës së sotme. Iniciativat që i kemi nisur do të vazhdojnë të rriten çdo vit e më shumë duke përfshirë zgjerimin e qasjes në mamografi, rritjen e ndërgjegjësimit në shkollat tona, në komunitet e familje dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për ata që preken nga kjo sëmundje”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Do të vazhdojmë me këtë kauzë që edhe Kosova të arrijë ta rrisë numrin e grave që e kalojnë këtë sëmundje e kjo arrihet zakonisht me zbulimin e hershëm të sëmundjes. Prishtina ka tre mamografë dhe ofron mundësi për të gjitha gratë për të bërë mamografinë si dhe subvencionon 250 euro në vit çdo grua me kancer të gjirit”, tha Izet Sadiku, drejtor i shëndetësisë në komunën e Prishtinës.
Sipas të dhënave nga klinika e Onkologjisë që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin shtator janë regjistruar rreth 300 raste të reja me kancerin e gjirit ndërsa deri në fund të vitit ky numër mund të shkojë në mbi 460 raste që është një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me një vit më parë kur janë diagnostikuar 450 raste të reja.
Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat.