Një hulumtim i organizatës "Çohu" i publikuar të premten tregon se raportimi i mediave të shkruara në Kosovë përcillet me mangësi dhe shkelje të shumta të kodit të etikës, posaçërisht në raportimet për gratë dhe fëmijët.
Sipas raportit me titullin “Sfidat e raportimit profesional”, mbi 80 për qind e të anketuarve thonë se lexojnë në vazhdimësi mediat e shkruara në Kosovë, ndërkaq rreth 65 për qind e tyre besojnë se këto media shkelin vazhdimisht kodin e etikës.
Your browser doesn’t support HTML5
“Një pyetje ka qenë a keni parë në portale informative shkrime ku shkilet kodi i etikës gazetareske si pamje të aksidenteve me pasoja për njerëzit e përfshirë, 24 për qind kanë thënë po, publikimi i emrave dhe të dhënave në raste të aksidentit 27 për qind, publikimi i fotografive të fëmijëve 22 për qind. Një pyetje tjetër ka qenë a keni parë në portale lajme që përmbajnë paragjykime dhe gjuhë seksiste ndaj grave dhe 66 për qind kanë thënë po, 24 për qind kanë thënë nganjëherë dhe 6.9 për qind kanë thënë jo”, tha Besnik Boletini, nga organizata “Çohu”.
Zoti Boletini tha se mbi 90 për qind e të anketuarve besojnë se këto raportime mund të shkaktojnë dëme te palët e përfshira. Por, një numër i vogël i qytetarëve ka njohuri se ku mund të raportojnë rastet e tilla.
“37 për qind kanë thënë po, ndërsa 62 për qind kanë thënë jo. Pyetja pasuese ka qenë a keni raportuar ndonjëherë ndonjë rast dhe 86 për qind kanë thënë se nuk kanë raportuar dhe 13 për qind po”, tha ai.
Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, tha se viteve të fundit ka një rritje të ndërgjegjësimit të qytetarëve për mënyrën e raportimit nga mediat.
“Ne si Këshill i shqyrtojmë ankesat çdo muaj, nëse krahasohemi me Këshillat e tjerë në rajon kemi ankesa shumë më shumë edhe me numrin e banorëve që e kemi. Për shembull, në muajin gusht i kemi pasur diku 17 ankesa, para dy ditësh e kemi pasur mbledhjen tjetër dhe i kemi pasur 14 ankesa, që vijnë prej profileve të ndryshme”, tha ai.
Donjeta Kelmendi nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, tha se raportimi jo etik shkakton pasoja të rënda për fëmijët.
“Në qoftë se ka një rast të abuzimit, posaçërisht abuzimit seksual që është forma më e rëndë, mbrohet identiteti i fëmiut pra fotografia dhe emri e mbiemri por shkohet në shkollën ku ai shkon, hyhet në klasën ku ai vijon mësimin, mirret në intervistë kujdestari i klasës, shkolla është në një fshat që e ka një shkollë të vetme. Ai fëmijë nesër duhet të shkojë në atë shkollë, në atë komunitet dhe të gjithë e kuptojnë se për kë bëhet fjalë. Kjo formë e shkeljeve pra publikimi i rrethanave që çojnë në zbulim të identitetit, kjo është më e shpeshta”, tha zonja Kelmendi.
Lonida Molliqaj nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion tha se në raportimet për gratë shkeljet më të rënda kanë të bëjnë me rastet e dhunës në familje.
“Çfarë ndodhë është që shumë portale zgjedhin të raportojnë vetëm rastet kur burri ka qenë viktimë dhe fotografitë që i bashkëngjiten artikullit janë gjithmonë problematike zakonisht një grua me një takë, me një tigan, duke lënë të nënkuptohen si mjetet e gruas në hapësirën private por që shkaktojnë tepër irritim”, tha ajo.
Hulumtimi i organizatës "Çohu" përfshin gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe në përfundimet e tij rekomandohet një angazhim i shtuar për ta futur lëndën e edukimit medial në shkollimin fillor në Kosovë, si një investim afatgjatë i shoqërisë në ndërgjegjësimin e të rinjve për efektet e çrregullimit informativ.