Hezbollahu hodhi një raketë në Tel Aviv herët të mërkurën, në sulmin e tij më të thellë deri tani brenda Izraelit, duke shënuar një përshkallëzim të mëtejshëm pasi sulmet izraelite në Liban vranë qindra njerëz.
Ushtria izraelite tha se rrëzoi raketën tokë-tokë, hedhja e së cilës bëri që të ndizen sirenat e sulmit ajror në Tel Aviv dhe në gjithë Izraelin qendror. Nuk pati raportime për viktima apo dëme. Ushtria izraelite tha se goditi vendin prej nga u hodh raketa në Libanin jugor.
Hezbollahu tha se hodhi një raketë balistike Qader 1, duke vënë në shënjestër selinë e Agjencisë izraelite të zbulimit Mossad, të cilën e fajëson për një varg vrasjesh të komandantëve të lartë të grupit dhe për një sulm javën e kaluar, në të cilin mjetet shpërthyese të fshehura në pajisjet e komunikimit vranë dhjetëra veta dhe plagosën mijëra të tjerë, duke përfshirë shumë pjesëtarë të Hezbollahut.
Ushtria izraelite tha se ishte hera e parë që një predhë e hedhur nga Libani arriti në Izraelin qendror. Hezbollahu pretendoi se kishte shënjestruar një bazë të shërbimit të zbulimit pranë Tel Avivit muajin e kaluar në një sulm ajror, por nuk pati asnjë konfirmim. Grupi militant palestinez i Hamasit në Gaza ka shënjestruar vazhdimisht Tel Avivin në muajt e parë të luftës.
Hedhja e raketës rriti tensionet ndërsa rajoni duket se po shkon drejt një tjetër lufte gjithëpërfshirëse, ndërsa Izraeli vazhdon të luftojë Hamasin në Rripin e Gazës. Një valë sulmesh izraelite të hënën dhe të martën vrau të paktën 560 njerëz në Liban dhe detyroi mijëra të kërkonin strehim.
Lexoni edhe këtë Izraeli sulmon për të dytën ditë me radhë Libanin, numri i të vdekurve arrin në 564Familjet ikën nga Libani jugor, duke u dyndur në Bejrut dhe qytetin bregdetar të Sidonit, duke fjetur në shkolla të shndërruara në strehimore, si dhe në makina, parqe dhe përgjatë plazhit. Disa provuan të largohen nga vendi, duke shkaktuar bllokim trafiku në kufirin me Sirinë.
Izraeli tha të martën vonë se avionët e tij kryen "sulme të gjera" mbi armatimet dhe raketat e Hezbollahut në të gjithë Libanin jugor dhe në rajonin Bekaa në veri. Ushtria tha se nuk ka plane të menjëhershme për një ndërhyrje tokësore, por refuzoi të japë një afat kohor për fushatën ajrore.
Tensionet midis Izraelit dhe grupit militant libanez janë përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë 11 muajve të fundit. Hezbollahu ka hedhur raketa dhe dronë drejt Izraelit verior, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza dhe aleatin e tij Hamasin, një grup tjetër militant i mbështetur nga Irani.
Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore gjithnjë e më të ashpra dhe vrasjen e komandantëve të Hezbollahut, ndërkohë që kërcënon me një operacion më të gjerë.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka caktuar një takim urgjent për Libanin për të mërkurën, me kërkesë të Francës.
Gati një vit luftimesh midis Hezbollahut dhe Izraelit kanë zhvendosur tashmë dhjetëra mijëra njerëz në të dy anët e kufirit përpara përshkallëzimit të kësaj jave. Izraeli është zotuar të bëjë gjithçka që duhet për t’u siguruar që qytetarët e tij të mund të kthehen në shtëpitë e tyre në veri, ndërsa Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë sulmet me raketa derisa të ketë një armëpushim në Gaza, diçka që duket gjithnjë e më e largët.
Sulmi me raketa gjatë javës së kaluar ka ndërprerë jetën për mbi 1 milion njerëz në të gjithë Izraelin verior, duke çuar në mbylljen e shkollave dhe kufizimin e tubimeve publike. Shumë restorante dhe biznese të tjera janë mbyllur në qytetin bregdetar të Haifas, dhe ka më pak njerëz në rrugë.
Izraeli ka zhvendosur mijëra trupa që shërbenin në Gaza, drejt kufirit verior. Ai thotë se Hezbollahu ka rreth 150,000 raketa, përfshirë disa që mund të godasin kudo në Izrael dhe se grupi ka hedhur rreth 9,000 raketa dhe dronë që nga tetori i kaluar.
Nënkoloneli Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se raketa e hedhur të mërkurën kishte një "kokë të rëndë" por nuk pranoi të shtjellonte apo konfirmonte se ishte lloji i përshkruar nga Hezbollahu. Ai hodhi poshtë pretendimin e Hezbollahut për shënjestrimin e selisë së Mossad-it, që ndodhet në veri të Tel Avivit, duke e cilësuar si “luftë psikologjike.
Raketa "Qader" e prodhuar nga Irani, është një raketë balistike tokë-tokë me rreze të mesme veprimi. Ajo mund të mbajë një ngarkesë shpërthyese deri në 800 kilogramë, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington. Zyrtarët iranianë e kanë përshkruar raketën me karburant të lëngshëm si një armë me rreze veprimi prej 2,000 kilometrash.