Izraeli bombardoi sërish objektivat e militantëve të Hezbollahut në Liban të martën, ndërsa numri i të vdekurve nga sulmet ajrore që prej së hënës arriti në 564 dhe numri i të plagosurve në 1,835 vetë.
Në total, Izraeli tha se goditi 1,500 objektiva. Zyrtarët libanezë të shëndetësisë thanë se 50 fëmijë ishin vrarë nga sulmet, si edhe paktën 94 gra.
Ushtria izraelite tha se sulmet e saj të martën goditën dhjetëra objektiva të Hezbollahut, mes tyre militantë të përfshirë në lëshimin e raketave në veri të Izraelit.
Izraeli tha se një nga sulmet e tij në periferitë jugore të Bejrutit u vra Ibrahim Muhammad Qubaisi, i identifikuar nga Izraeli si një komandant i lartë ushtarak i Hezbollahut që mbikëqyrte sistemet raketore të grupit.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët tha se ishte "e indinjuar dhe thellësisht e pikëlluar" nga sulmet e tjera izraelite që lane të vrarë dy punonjës të saj.
Ndërkohë, sipas zëvendës Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Jon Finer, zyrtarët e administratës së Presidentit Biden janë të angazhuar në bisedime me aleatët për të ndihmuar në shtensionimin ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.
“Po punojmë në kohë reale këtu në Nju Jork dhe nëpër kryeqytetet e botës”, deklaroi zoti Finer. “Nuk mund t’i bëjmë publike të gjitha detajet e këtyre bisedimeve të ndjeshme, por duam që konflikti të mos përshkallëzohet”.
Zoti Finer iu shmang pyetjeve nëse luftimet tashmë janë shndërruar në luftë të hapur me Libanin, për të cilën Shtetet e Bashkuara i bën trysni që ta shmangte ndërkohë që vazhdon konfliktin njëvjeçar në Gazë. Por ai tha se një “luftë e madhe, një luftë më e gjerë” nuk është në interesin e Izraelit e as të Libanit.
Mijëra njerëz u larguan nga pjesa jugore e Libanit në kërkim të një vendi më të sigurtë, në drejtim të Bejrutit, në dyndjen e parë të këtyre përmasave që nga lufta e vitit 2006 ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.
Në Bejrut dhe qytetin bregdetar Sidon, familjet e zhvendosura fjetën në qendra strehimi të imporvizuara në objekte shkollore. Hotelet janë mbushur përtej kapacitetit dhe çmimet e dhomave shkuan përtej buxhetit të shumë familjeve, duke i detyruar ata që nuk gjetën strehim të flenë në vetura, parqe dhe përgjatë detit.
Ushtria e Izraelit tha se do të “bëjë çdo gjë që është e nevojshme” për të larguar Hezbollahun nga kufiri i Libanit me Izraelin. Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Të hënën Izraeli filloi të bombardojë pjesët jugore dhe lindore të Libanit.
“Hezbollahu i sotëm nuk është Hezbollahu i para një jave. Goditjet ndaj qendrës së komandës dhe të kontrollit, ndaj pjesëtarëve të saj, ndaj armëve – të gjitha ishin goditje shumë serioze”, tha Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Hezbollahu hodhi rreth 100 raketa në drejtim të Izraelit të martën, sipas ushtrisë izraelite.
Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.