Krasta: “RTK-ja nuk është institucion policesk”

Adi Krasta

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Adi Krasta tha të hënën në mbrëmje se ky medium publik nuk e ka parësor “ndëshkimin” por zgjidhjen e problemeve, duke iu përgjigjur kësisoj kritikave për mosveprim pas reagimeve që nxiti një shkrim i publikuar në fund të muajit të kaluar nga RTK-ja, që pretendonte se dy gazeta në internet me seli në Prishtinë, janë financuar nga Serbia.

Shkrimi nxiti reagime të shoqatave të gazetarëve, mediave dhe organizatave joqeveritare të cilat i bënë thirrje Bordit të RTK-së që ta shqyrtojë situatën. Bordi shpalli formimin e një komisioni për të hetuar përgjegjësinë editoriale.

Lexoni edhe këtë Jep dorëheqjen ushtruesja e detyrës së drejtores së Radiotelevizionit të Kosovës

Të shtunën kryetari i bordit Besnik Boletini, dhe anëtarët e tij, Arta Berisha dhe Safet Kabashi, dhanë dorëheqje.

Zoti Boletini, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se “gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e trajton këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. Siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”.

Lexoni edhe këtë Dorëheqje në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës

Zoti Krasta tha në një intervistë në RTK të hënën se “nuk është primare historia e ndëshkimit, neve nuk jemi institucion policesk. Nuk është primare për ne heqja e kokave. Kjo historia e shkarkimit është një kulturë e vjetër në RTK dhe në institucione të tjera ku ka shqiptarë, që e zgjidh duke e hequr tjetrin, duke e shkatërruar tjetrin, duke e hequr nga pozicioni. Dhe nuk zgjidhet problemi i vërtetë por merret një vendim për të lëviz njerëz, për të destabilizuar njerëz...dhe ndërkohë problemi është po i njëjti. Mua më intereson zgjidhja e problemit”, tha zoti Krasta.

Ai tha se RTK-ja tashmë ka ngritur “një kolegjium njerëzish të rëndësishëm që marrin vesh nga profesioni, vumë një filtër të menjëhershëm dhe thamë kurrë më në të ardhmen RTK-ja nuk mund të trajtojë një lajm të cilin e krijon vetë ose e merr nga burime të tjera kur ka ndjeshmëri të madhe, pa pasur një dakordim të këtij kolegjiumi, nuk do të ndodh më”, theksoi ai, duke nënvizuar se RTK-ja nuk mund të nxitojë për hir të trysnisë.

Zoti Krasta tha se pajtohet me qëndrimin e Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili duke komentuar dorëheqjet nga bordi i RTK-së, nënvizoi është e domosdoshme që Parlamenti i Kosovës “të zgjedhë anëtarët e rinj të bordit të RTK-së me përparësi të lartë sapo të mblidhet, në mënyrë që bordi të funksionojë përsëri. Emërimi i anëtarëve të rinj të bordit dhe i një drejtori të ri të përgjithshëm duhet të jetë transparent dhe i bazuar qartë në merita”.

Misioni nënvizoi po ashtu “rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës për ruajtjen e besimit të publikut në RTK dhe përkushtimin e tij për raportim të paanshëm dhe të përgjegjshëm mediatik...”.