Lidhje

Jep dorëheqjen ushtruesja e detyrës së drejtores së Radiotelevizionit të Kosovës


Kosovo/RTK
Kosovo/RTK

Ushtruesja e detyrës së drejtores së Radiotelevizionit të Kosovës, Zana Spahiu, dha dorëheqje të enjten në mbrëmje, pas reagimeve që nxiti një shkrim i publikuar nga transmetuesi publik i Kosovës, që pretendonte se dy gazeta në internet me seli në Prishtinë, janë financuar nga Serbia.

Në shkrimin që u mor nga portali boshnjak “Slobodna Bosna”, thuhet mes tjerash se “një portal në Kosovë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiç, ndërsa një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh, me qëllim të publikimit të shkrimeve kritike për qeverinë e Albin Kurtit”. Portali përmend gazetat në internet, Periskopi dhe Nacionale.

Milan Radoiçiç kërkohet nga drejtësia në Kosovë, pasi mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 ndaj policisë së Kosovës në veri, gjatë të cilit u vra një oficer i policisë. Ai është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 për përfshirje në korrupsion.

Shkrimi i portalit boshnjak që u publikua nga Radiotelevizioni i Kosovës u shpërnda nga disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi me alarm ndaj asaj që e cilësoi fushatë të rrezikshme akuzuese të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kundër portaleve “Periskopi” dhe “Nacionale”.

“AGK-ja, dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty. Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”, thuhej në njërin nga reagimet e Asociacionit.

Themeluesi i gazetës Nacionale, Berat Buzhala, dhe ai i portalit Periskopi, Ilir Mirena, paralajmëruan padi ndaj portalit boshnjak si dhe ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës për RTK-në.

Bordi i RTK-së u mblodh të martën për disa orë më radhë dhe shprehu sic tha “keqardhjen” për publikimin e shkrimit dhe shpalli formimin e një komisioni për të hetuar përgjegjësinë editoriale.

Një grup organizatash të shoqërisë civile kërkuan më pas dorëheqjen e bordit të RTK-së, ndërsa dhjetëra gazetarë të transmetuesit publik “u distancuan” nga publikimi i shkrimit.

Çështja u shndërrua edhe në debat politik në distancë ndërmjet partive opozitare dhe zyrtarëve të pushtetit.

XS
SM
MD
LG