Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, dhe anëtarja e këtij bordi, Arta Berisha, dhanë dorëheqje të shtunën pas reagimeve që nxiti një shkrim i publikuar në fund të muajit të kaluar nga transmetuesi publik i Kosovës, që pretendonte se dy gazeta në internet me seli në Prishtinë, janë financuar nga Serbia..
Në shkrimin që u mor nga portali boshnjak “Slobodna Bosna”, me 22 korrik, thuhet mes tjerash se “një portal në Kosovë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiç, ndërsa një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh, me qëllim të publikimit të shkrimeve kritike për qeverinë e Albin Kurtit”. Portali përmend gazetat në internet, Periskopi dhe Nacionale.
Shkrimi nxiti reagime të shoqatave të gazetarëve, mediave dhe organizatave joqeveritare të cilat i bënë thirrje Bordit të RTK-së që ta shqyrtojë situatën.
Bordi shpalli formimin e një komisioni për të hetuar përgjegjësinë editoriale, ndërsa më 26 korrik, ushtruesja e detyrës së drejtores së RTK-së, Zana Spahiu dha dorëheqjen.
Lexoni edhe këtë Jep dorëheqjen ushtruesja e detyrës së drejtores së Radiotelevizionit të KosovësKryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se “Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e trahton këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. Siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”.
Zoti Boletini tha se kishte kërkuar masa të rrepta rreth situatës së krijuar, por gjithçka u zvarrit.
“Unë nuk mund t’i mbyllë sytë para një lëshimi të madh profesional në asnjë mënyrë në asnjë rrethanë, pa u ndëshkuar përgjegjësit. Tendenca për ta kaluar këtë rast vetëm me një kërkim falje është e pakapërdishme”, shkroi ai.
Pak orë më pas dha dorëheqje edhe anëtarja e Bordit të RTK-së, Arta Berisha, duke theksuar se është e papranueshme “që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar” sipas rregulloreve të RTK-së.
“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit - botimin e një teksti të paverifikuar dhe të publikuar fillimisht nga një medium tjetër - janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK”, shkroi zonja Berisha.