Franca dënoi ashpër të premten ato që ajo i quajti veprimet e njëanshme të autoriteteve të Prishtinës në veri të Kosovës, të cilat ushtrojë ndikim në jetën e përditshme të komunitetit serb.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, ministria e Jashtme franceze tha se këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ndërsa kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm, që do të përshkallëzonte më tej tensionet.
Autoritetet në Kosovë mbyllën të hënën zyrat e postës së Serbisë në veri dhe filluan të enjten testimin e qëndrueshmërisë së urës kryesore mbi Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave, mes kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.
Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.
Lexoni edhe këtë Kosovë, debat rreth hapjes së urës kryesore mbi Ibër. Autoritetet testojnë qëndrueshmërinë e sajPor synimet për hapjen e urës kundërshtohen nga pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët u hodhën në protesta dhe nxitën kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Blloku paralajmëroi ndërkaq se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që janë në fuqi që nga qershori i vitit të kaluar, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Lexoni edhe këtë BE-ja paralajmëron shtim masash ndëshkuese ndaj KosovësShtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që këto çështje të trajtohen dhe zgjidhen në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, një proces i ngecur për një kohë të gjatë.