Kamala Harris, Tim Walz shfaqen në fushatë për herë të parë së bashku

  • Carolyn Presutti

Përzgjedhja e Guvernatorit të Minesotës Tim Walz si kandidat për nënpresident nga demokratja Kamala Harris, do të thotë se të dyja partitë i kanë të plotësuara tashmë dyshet kandiduese për zgjedhjet e nëntorit. Zonja Harris dhe zoti Walz dolën për herë të parë të martën në mbrëmje në një tubim fushate së bashku në Fildelfia të Pensilvanisë, një nga shtetet që pritet të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve. Filadelfian e vizitoi të martën edhe kandidati për nënpresident, JD Vance.

Your browser doesn’t support HTML5

Kamala Harris, Tim Walz shfaqen në fushatë për herë të parë së bashku

Filadelfia është një qytet i mbushur me simbolizëm. Është qyteti ku themeluesit e Shteteve të Bashkuara shpallën pavarësinë. Të martën, të dyja partitë bënë fushatë pikërisht në këtë qytet.

Kandidatja demokrate Kamala Harris, prezantoi kandidatin e saj për nënpresident, guvernatorin e Minesotës, Tim Walz.

“Tim dhe unë kemi një mesazh për Trump-in dhe të tjerët që duan të kufizojnë liritë tona themelore: Ne nuk do të kthehemi pas”, tha ajo.

Lexoni edhe këtë Profili i kandidatit demokrat për nënpresident, Tim Walz

Zoti Walz, një veteran ushtrie, ish-mësues dhe ish-trajner i futbollit amerikan në një shkollë të mesme para se të hynte në politikë, sulmoi drejtpërdrejt kandidatët republikanë.

“Është diçka që e kam vënë re dhe më duhet ta them. Ata janë të neveritshëm, janë të çuditshëm. Kjo është e vërteta”, tha ai.

Disa demokratë thonë se zoti Walz do të bëjë për vete ish-demokratët nga shtetet e lëkundura që votuan për zotin Trump.

“Mendoj se ky është një grup demografik që demokratët duhet ta fitojnë. Dhe Tim Walz duket se flet gjuhën e atyre votuesve”, thotë votuesi demokrat Dan Ladise.

Lexoni edhe këtë J.D. Vance sjell konservatorizmin, moshën e re në kandidimin me ish-presidentin Trump

Vetëm disa orë më herët--- në anën tjetër të qytetit, kandidati republikan për nënpresident, JD Vance mbajti një aktivitet fushate, duke iu përgjigjur pyetjeve të medias. Ai sulmoi ashpër zotin Walz.

"Tim Walz ka qenë një nga radikalët më të majtë në të gjithë qeverisjen e Shteteve të Bashkuara të çdo niveli”, tha ai.

Zoti Vance goditi demokratët lidhur me çështjet e imigracionit, fentanilit dhe ekonomisë.

Votuesi i pavendosur Wayne Eastman priste në radhë për tubimin duke mbajtur në dorë librin e zotit Vance “Hillbilly Elegy”.

"Është e pazakontë që një politikan të jetë edhe shkrimtar, kështu që jam kurioz", thotë ai.

Pas 90 ditësh, votuesit amerikanë do të zgjedhin mes ish-Presidentit Trump dhe Nënpresidentes Harris. Zonja Harris po bën thirrje për të shmangur një rikthim të zotit Trump.

Në ditët e ardhshme dyshja demokrate Harris-Walz do të vizitojë pesë shtete të tjera përcaktuese për zgjedhjet: Viskonsin, Miçigan, Karolina e Veriut, Arizona dhe Nevada.