Lidhje

J.D. Vance sjell konservatorizmin, moshën e re në kandidimin me ish-presidentin Trump


Kandidati për nënpresident seantori JD Vance
Kandidati për nënpresident seantori JD Vance

Senatori nga Ohajo, J.D. Vance u përzgjodh kandidat për nënpresident. Politikat e tij ndërthuren me ato të ish-presidentit Donald Trump, por prejardhja e tij është shumë më e ndryshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti njofton se çfarë cilësish sjell zoti Vance në kandidimin për në Shtëpinë e Bardhë.

J.D. Vance sjell konservatorizmin, moshën e re në kandidimin me ish-presidentin Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Nga fillimet e tij modeste në Apalaçia të Ohajos, senatori J.D. Vance i ka kthyer sytë tashmë drejt postit të dytë më të lartë në vend.

“Njerëzve në Midëlltaun, Ohajo dhe të gjitha komuniteteve të harruara në Miçigan, në Uiskonsin, Pensilvani dhe Ohajo dhe në çdo cep të vendit tonë, ju premtoj këtë: Do të jem një nënpresident që nuk harron kurrë se nga erdhi”, tha zoti Vance.

Kjo prejardhje nga zona punëtorësh është në kontrast me origjinën nga një familje e pasur e ish-presidentit Donald Trump. Guvernatori i Ohajos Mike DeWine thotë se fëmijëria e zotit Vance në kushtet e varfërisë ekonomike dhe me një nënë të ndërvarur nga drogat, zgjeron bazën e mbështetësve për dy kandidatët republikanë.

“Ai ka patur disa përvoja të jetës reale që shumë njerëz nuk i kanë patur, por për të cilat njerëzit ndjejnë simpati”, tha guvernatori i Ohajos Mike DeWine.

Për sa i përket politikës së jashtme, zoti Vance tregohet i ashpër ndaj Kinës dhe në lidhje me Azinë Lindore, por është kundër dërgimit të ndihmave ushtarake në vende të tjera, në veçanti për konfliktin Ukrainë-Rusi.

“Mendoj se përzgjedhja e zotit Vance po shkakton ndoshta panik në kryeqytetet evropiane, megjithëse tradicionalisht nënpresidentët nuk kanë shumë influencë në politikën e jashtme. Fakti që Trump-i përzgjodhi dikë pikëpamjet e të cilit përputhen me të tijat, në veçanti për Evropën, mendoj se është tregues se si e imagjinon ai të ardhmen e partisë”, thotë Emma Ashford, studiuese në Qendrën Stimson.

Drejtuesja e Partisë Republikane në Ohajo, Jane Timken kandidoi përballë zotit Vance në zgjedhjet për në Senat, por në vazhdim u bë mbështetëse e tij.

“Ai gjithashtu di si të artikulojë perspektivën tonë për të vendosur Amerikën të parën dhe kjo do të thotë të sigurohet kufiri, do të thotë ta bëjmë Amerikën sërish të begatë dhe sërish të fortë në skenën botërore”, tha zonja Timken.

Ashtu si ish-presidenti Trump, edhe senatori Vance është pro-Izraelit, kundër abortit dhe fajëson emigrantët për marrjen e vendeve të punës të amerikanëve. Nënpresidentja Kamala Harris e akuzon zotin Vance se vetëm mbështet qëndrimet e ish-presidentit Trump.

“JD Vance do t’i jetë besnik vetëm Trump-it, jo vendit tonë”, tha ajo.

Dallimi i madh me ish-presidentin Trump është se senatori Vance është 39 vjeç dhe nëse zgjidhet do të ishte nënpresidenti i tretë më i ri në historinë e vendit. George Lang, senator në legjislaturën e Ohajos, jeton në të njëjtin distrikt si zoti Vance.

“Mendoj se do të sjellë të rinjtë. Dhe kemi nevojë për këtë. Partia jonë është një parti të moshuarish të bardhë. Duhet të tregojmë se jemi të shumëllojshëm. Se jemi të hapur”, thotë zoti Lang.

Bernie Moreno kandidon për në Senat nga Ohajo. Ai thotë se mosha e zotit Vance është një avantazh.

“Do t’i mobilizojë votuesit. Mund të shkoj tani të thërras emrin e tij dhe ta bëj të gjithë këtë turmën të thërrasë J.D. Më prisni pak”, thotë zoti Moreno, ndërsa kthehet nga delegatët e Ohajos dhe fillon të thërrasë J.D., J.D.!

Mbetet për t’u parë nëse ky ngazëllim do të vazhdojë në mbarë vendin, ndërsa kandidatët Trump dhe Vance dalin në fushatë.

XS
SM
MD
LG