Duke nxjerrë në pah reputacionin si djepi i revolucionit, Parisi filloi Lojërat Olimpike të premten me një ceremoni që nuk ndoqi rregullat e zakonshme. Ceremonitë u mbizotëruan nga tematika e fantazisë dhe yjet e skenës, duke demonstruar këmbënguljen e këtij qyteti, ndërsa autoritetet përballeshin me akte sabotazhi që dëmtuan rrjetin e mirënjohur hekurudhor të Francës.
Ndërprerjet e mëdha u shkaktuan nga ato që zyrtarët francezë i quajtën sulme të koordinuara me zjarre të vendosura përgjatë shinave të trenave të shpejtësisë së lartë. Ndërkohë ceremonia në Paris u shoqërua edhe nga reshje, ndërsa njerëzit nga mbarë globi po ndiqnin çeljen e lojërave.
Lexoni edhe këtë Dëmtohen qëllimisht hekurudhat franceze disa orë para hapjes së Lojërave OlimpikePor ceremonia që filloi në orën 7:30 të darkës e ndryshoi me shpejtësi disponimin.
Rëndësia e aktivitetit në Francë ishte e jashtëzakonshme. Dhjetëra kryetarë të shteteve dhe qeverive kishin ardhur në Paris dhe po vëzhgonin ndërsa qyteti u shndërrua në një skenë të madhe.
Ceremonia u zhvillua përgjatë Lumit Senë, duke i shndërruar monumentet e mirënjohura të qytetit në skena për valltarët, këngëtarët dhe artistë të tjerë.
Reshjet që lagën spektatorë dhe atletë dhe që shkaktuan kaos në transportin në qytet, nxjerrin në pah zgjedhjet e pazakonta dhe të guximshme që bëri Parisi për ceremoninë. Shtrirja e madhe gjeografike i detyroi organizatorët të transportonin turma më të mëdha, për të cilat gjithashtu duheshin ofruar masa të shtuara sigurie, në krahasim me lojërat e mëparshme olimpike që janë çelur me ceremoni në stadiume të mbyllura.
Sidoqoftë, ndërsa filloi ceremonia, optimizmi përfshiu Parisin.
"I mbijetuam shiut dhe nuk na e prishi dot kënaqësinë", tha atleti amerikan Kelly Cheng. "Kjo ishte një ndër netët më magjike të jetës sonë".
"Shiu nuk na ndal dot", tha ylli i basketbollit amerikan LeBron James, i cili kishte veshur një mushama plastike së bashku me tenisten amerikane Coco Gauff.
Ndër yjet e shumta të skenës, Lady Gaga këndoi një këngë në gjuhën franceze, ndërsa në Kullën Ejfel, Celine Dion këndoi në mbyllje të ceremonisë. Kjo është paraqitja e saj e parë e tillë që kur u diagnostikua me një çrregullim të rrallë nervor në vitin 2022.
Megjithëse parashikimet e motit flisnin për reshje, organizatorët vendosën të mos e shtyjnë mbajtjen e ceremonisë çelëse. Moti i lagësht u përjetua nga mijëra atletë olimpikë që merrnin pjesë në paradën me varka përgjatë Lumit Senë dhe qindra mijëra spektatorët e mbledhur përgjatë brigjeve.
Sipas organizatorëve, priteshin të merrnin pjesë rreth 6,800 atletë në 85 anije që do të "parakalonin" në ceremoninë çelëse, nga 10,500 atletët që do të konkurojnë në sportet e ndryshme gjatë 16 ditëve në vazhdim.