Lidhje

Dëmtohen qëllimisht hekurudhat franceze disa orë para hapjes së Lojërave Olimpike


Autoritetet franceze thanë se rrjeti i trenave të shpejtë u dëmtua me një sërë veprimesh të bashkërenduara, që çuan në ndërprerje të mëdha në disa prej linjave hekurudhore më të ngarkuara të vendit, para ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit të premten.

Operatori shtetëror hekurudhor tha se autorët dëmtuan instalimet përgjatë linjave që lidhin Parisin me qytete të tilla si Lille në veri, Bordeaux në perëndim dhe Strasburg në lindje.

Operatori u bëri thirrje të gjithë udhëtarëve që të ndryshojnë planet e tyre. Riparimet kanë filluar por trafiku do të ndërpritet rëndë të paktën deri në fund të fundjavës. Trenat u kthyen në pikënisjet e tyre.

"Gjatë natës SNFC (kompania kombëtare hekurudhore franceze) ishte viktimë e disa akteve të vandalizmit në linjat e shpejtësisë së lartë ... Zjarret ishin vënë qëllimisht për të dëmtuar instalimet tona", tha kompania në një deklaratë.

Sulmet e bashkërenduara në rrjetin hekurudhor vetëm sa kanë shtuar ndjenjën e shqetësimit para ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në zemër të Parisit, më vonë të premten.

Franca po zhvillon një operacion të pashembullt sigurie në kohë paqeje për shkak të lojërave, me më shumë se 45,000 policë, 10,000 ushtarë dhe 2,000 agjentë privatë të sigurisë. Snajperët do të jenë nëpër çati dhe dronët do të vëzhgojnë situatën nga ajri.

Nuk pati ndonjë pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë dhe asnjë tregues nëse veprimi kishte lidhje e motive politike.

Ministri i Transportit Patrice Vergriete, i cilësoi aktet si kriminale. Shefi i policisë së Parisit tha se po forconte edhe më tej masat e sigurisë në stacionet kryesore të kryeqytetit.

Ministrja e Sportit Amelie Oudea-Castera e dënoi vandalizmin.

"Është e tmerrshme," tha ajo për rrjetin BFMTV. “Të vësh në shënjestër lojërat, do të thotë të vësh Francën në shënjestër”.

XS
SM
MD
LG