Kryeministri Kurti kritikon BE-në për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë

  • Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën se vendimi i Bashkimit Evropian për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza të qytetarëve serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia, është i padrejtë dhe shkurajon integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit”, tha kryeministri Kurti.

Komentet e tij pasuan vendimin e një dite më parë të Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë, të lëshuara nga Drejtoria Bashkërenduese serbe, e cila pajis serbët e Kosovës me dokumente nga Serbia.

Lexoni edhe këtë Këshilli i BE-së miraton heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë

Autoritetet në Prishtinë u shprehën të zhgënjyera me vendimin e Bashkimit Evropian ndërsa theksuan se pasaportat e tilla janë të paligjshme. Sipas tyre është pashpjegueshme ngutja për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar pasojat që munden dhe do tё përcjellin zbatimin e vendimit dhe pa u këshilluar me institucionet e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës në opozitë shprehu pakënaqësinë me vendimin e Bashkimit Evropian dhe qasjen e qeverisë kundruall kësaj çështjeje. Nënkryetarja e kësaj partie, Mimoza Ahmetaj gjatë një konference shtypi tha se ky vendim e vë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës dhe nxit vetëm veprimin e strukturave paralele jolegale serbe.

Kjo qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tone. Këto vendime nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë përkundrazi e cenojnë integritetin territorial dhe institucional të Kosovës dhe dërgojnë mesazhe tjera, të cilat në vend të promovimit të stabilitetit nxisin edhe më tutje politikat cenuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha zonja Ahmetaj.

A kanë të drejtë qytetarët e Kosovës të mbajnë pasaporta serbe?

Qytetarët serbë të Kosovës mund të mbajnë edhe pasaporta të Serbisë meqë kjo u lejohet me ligjin për dyshtetësi.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj i tha Zërit të Amerikës se Kosova ka qasje liberale sa i përket dyshtetësisë dhe nuk u kufizohet qytetarëve të saj të kenë madje disa shtetësi. Por, thotë ai, bie në dallimin midis dokumenteve të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qendra koordinuese lëshon pasaporta për shtetas të Kosovës ndërsa Ministria e Punëve e Brendshme serbe lëshon për qytetarë të Serbisë që jetojnë në Serbi”, tha zoti Miftaraj, duke theksuar se vendimi për pasaportat cenon sovranitetin e Kosovës, meqë në to vendbanimet e Kosovës shënohen si pjesë e Serbisë.

Aq më keq Bashkimi Evropian e miraton këtë”, tha ai.

Pasaportat e lëshuara për serbët e Kosovës nuk ishin përfshirë në regjimin e udhëtimit pa viza në kohën kur ishin liberalizuar ato për Serbinë.

Nga një janari i këtij viti Kosova u bë pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarë evropianë kanë theksuar se përfshirja e pasaportave të serbëve të Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza “është vendim teknik” që paraqet një zgjidhje pragmatike, për të siguruar trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të rajonit.