Lidhje

Këshilli i BE-së miraton heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë


Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi të hënën një rregullore për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza të qytetarëve serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia, mes zhgënjimit të autoriteteve në Kosovë për një vendim të tillë.

Në një njoftim të këtij këshilli thuhet se rregullorja siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t'i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e deritashëm për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Bashkërenduese serbe, e cila pajis serbët e Kosovës me dokumente nga Serbia.

Sipas Këshillit të Bashkimit Evropian me miratimin e sotëm “përfundon procesi legjislativ dhe se me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në fletoren zyrtare të Bashkimit Evropian, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.

Autoritetet në Prishtinë u shprehën të zhgënjyera me vendimin e Bashkimit Evropian.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, qeveria tha se cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten jolegale, në shkelje të plotë të tërësisë tokësore dhe sovranitetit të shtetit, e rrjedhimisht, të papranueshme për Republikën e Kosovës.

“Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Kosovës. Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin”, thuhet në reagim.

Qeveria tha se është pashpjegueshme ngutja për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar pasojat qё munden dhe do tё përcjellin zbatimin e vendimit dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit të Kosovës.

Ky vendim, sipas qeverisë dëmton përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

Ministri i jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç e mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian duke e cilësuar "një fitore të vogël por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë".

Pasaportat e tilla nuk ishin përfshirë në kohën kur ishin liberalizuar vizat për Serbinë.

Nga një janari i këtij viti Kosova u bë pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

XS
SM
MD
LG