Kosova dhe Serbia pa pajtim mbi mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për normalizim

Takimet ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç me të dërguarin e posaçëm evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak përfunduan të martën vonë pa ndonjë rezultat konkret.

I dërguari evropian Lajçak fillimisht priti kryenegociatorët ndarazi dhe më pas në një takim trepalësh në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha se për rreth shtatë orë “diskutuam një sërë çështjesh dhe u pajtuam për një numër të hapave të ardhshëm”.

Your browser doesn’t support HTML5

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë takimet në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi u tha gazetarëve pas takimeve se Serbia ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të marrëveshjes - themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

"Për pjesët tjera ka thënë se mund të diskutojmë pasi të hidhen hapa për zbatimin e kësaj pike. Ndërkaq ne kemi pasur propozime konkrete për secilën pikë dhe kemi theksuar që është shumë e rëndësishme që marrëveshja të pranohet në plotni dhe plani i sekuencimit të jetë gjithpërfshirës”, tha zoti Bislimi.

Ai tha se deri më 18 korrik Kosova dhe Serbia pritet të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të marrëveshjes në bazë të të cilave ndërmjetësit evropian do të nxjerrin më pas një propozim të ri për zbatim.

Kryenegociatori serb Petkoviç tha se ka këmbëngulur për Asociacionin meqë “është çështja më e rëndësishme dhe thelbësore për mbijetesën e serbëve dhe procesin e normalizimit”.

“Çështja më e rëndësishme është Asociacioni. Kemi biseduar për mënyrën dhe udhërrëfyesin se si të vazhdojmë rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përmes hapave konkretë. Prandaj është e nevojshme që Prishtina ta pranojë projekt-statutin e hartuar nga BE-ja. Beogradi është i gatshëm të diskutojë për atë statut”, tha ai.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje t’i nxisë palët të zbatojnë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve duke kërkuar nga Kosova që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia që të njohë ‘de-facto’ shtetësinë e Kosovës.

Por, procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia ka theksuar se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, dështuan të shënojnë përparim në bisedimet e normalizimit dhe një takim trepalësh i planifikuar me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk u zhvillua, për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë.

Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.

Një ditë më parë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se agjenda e takimit përcaktohet nga urgjenca më e madhe që është fillimi i zbatimit të marrëveshjes mbi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se njohja e ndërsjellë do të ishte rrjedhë logjike e këtij procesi.

Marrëveshja nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia.