Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Gjykata Kushtetuese në Kosovë të mërkurën e shpalli “të pavlefshëm” ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërkaq nuk gjeti shkelje në ligjin për pagën minimale në Kosovë, duke nxitur reagime të ndryshme në vend.

Të dyja këto ligje ishin dërguar për shqyrtim nga partitë opozitare në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi në Kushtetuese ligjin për pagën minimale në korrik të vitit të kaluar, ndërkaq ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme Partia Demokratike e Kosovës e dërgoi për shqyrtim në shkurt të vitit të kaluar.

Në një vendim që u publikua të mërkurën, Gjykata Kushtetuese tha se në ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme janë katër nene që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, duke nënvizuar se “pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Parlamenti i Kosovës, Ligji për Byronë shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha në një reagim në rrjete sociale se ligji është hartuar përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të Bashkimit Evropian duke përfshirë secilin rekomandim të Komisionit të Venedikut. “Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi” shkroi ajo, duke theksuar se “5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej, vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm”.

Ajo kritikoi ashpër Gjykatën Kushtetuese duke thënë se disa gjyqtarë të saj po përpiqen të përmbysin vullnetin e qytetarëve për drejtësi. “Një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet”, shkroi ajo.

Ndërkaq në vendimin mbi ligjin për pagën minimale Gjykata Kushtetuese tha se nuk ka shkelje dhe se “ligji i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani për shpallje”.

Vendimi u pasua nga reagimi i Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate tha se “do t'i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë”.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “ndërlidhja e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, nuk është ndryshuar përmes ligjit të kontestuar, por që në vitin 2017, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Veteranëve”.

Rrjedhimisht, thuhet në vendim, “nuk është kontestuese ndërlidhshmëria e lartësisë së pensioneve me pagën minimale, sepse kjo çështje është zgjidhur përmes Ligjit për Veteranët të vitit 2017, por kontestuese është nëse vonesat në zbatimin e ligjit të lartcekur, përkatësisht detyrimit të shtetit për të bërë kategorizimin përfundimtar të veteranëve, mund të rezultojnë në “pritje legjitime” për kategorinë e veteranëve të UÇK-së”.

Ligji për pagën minimale parasheh rritjen e saj në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht. Nëse ky ligj hyn në fuqi, për çka kërkohet nënshkrimi i presidentes së vendit dhe publikimi në gazetën zyrtare, veteranët do të vazhdojnë të marrin 170 euro sa është pensioni aktual i tyre.

Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në ligjin që do t’i dërgohet presidentes Osmani nuk përfshihet edhe rritja e pensioneve të veteranëve.

Ligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj".