Kosova po shënon të mërkurën 25 vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999 trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
NATO-ja vlerësohet se ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës, e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha gjatë seancës solemne të parlamentit se prania e aletatëve dhe paqëruajtësve në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të botës ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Ajo theksoi se mirëmbajtja e aleancave dhe partneritetve është vendimtare për mirëmbajtjen e lirisë së fituar.
“NATO-ja në Kosovë ishte dritë shprese, ishte një shancë për drejtësi, një shancë për liri. Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më nga ndërgjegja ndërkombëtare. Prandaj në qershor ‘99 muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë por edhe të pavarur e demokratike”, tha presidentja Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ndërkaq tha se Kosova po e shënon 25 vjetorin e çlirimit duke qëndruar bashkë me aleatët njësoj si në ditët e para të çlirimit.
“Sikur atëherë edhe tani Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë Kosova dhe populli i saj bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinimi ynë ushtarak”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se kauza e Kosovës nuk ka përfunduar ndërsa shprehu mbështetjen e palëkundur siç tha në rrugën e saj drejt integrimit euro atlantik.
“Shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj për të faktorizuar Republikën e Kosovës si shtet qe respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, i qëndron frymës euroatlantike, që mban dhe trashëgon miqësitë që na janë gjendur në ditët tona më të errëta, duke besuar, duke dëgjuar, duke ndjekur e këshilluar nga partnerët strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, tha zoti Begaj.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha në një mesazh urimi në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara janë krenare me arritjet e Kosovës duke nënvizuar se populli i Kosovës.
“Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partneri juaj ndërsa shënoni këtë moment të rëndësishëm historik. Dua të theksoj se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekjeje për të shtypur brutalisht dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare”, tha ambasadori Hovenier.
Ndonëse roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet thelbësor në çlirimin e vendit, Kosova po e shënon sot një çerekshekulli nga ajo ditë në një periudhë të asaj që duket si një zbehje në marrëdhënien e qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mospajtimet kryesore lidhen me mos hedhjen e hapave nga qeveria e Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që e la Kosovën jashtë agjendës së takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës muajin e kaluar, ku pritej të votohej për anëtarësimin e saj në këtë organizatë.
Ekspertët thonë se diplomacia perëndimore është e zhgënjyer me qeverinë e Kosovës ndërsa tërheqin vërejtjen se mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë mbetet thelbësore në rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë euroatlantik.
Lexoni edhe këtë Tony Blair: Bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë, veprimi i duhurKosova mbetet e fundit në rajon në proceset integruese ndërsa përparimi i saj në këtë drejtim është i lidhur ngushtë edhe me zbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Por tensionet e vazhdueshme me Serbinë, posaçërisht rreth zhvillimeve në veri të vendit, duket sikur e kanë zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje drejt menaxhimit të krizave.
Nga 50 mijë trupa të NATO-s sa u vendosën 25 vjet më parë në Kosovë, numri i tyre është zvogëluar vit pas viti. Por, vitin e kaluar NATO-ja vendosi trupa shtesë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, të cilat kanë bërë që Kosova të përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët perëndimorë.
25 vjet pas luftës, Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore.
Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.