Ilya Gambashidze, personi që qeveria amerikane akuzon për fushatën e dezinformimit të Kremlinit

Ilya Gambashidze

Sipas qeverisë amerikane, këshilltari politik rus Ilya Gambashidze është përgjegjës për një fushatë dezinformimi në shkallë të gjerë, që synon dëmtimin e besimit tek proceset demokratike dhe institucionet në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Qeveria amerikane thotë se në bashkëpunim me zyrtarët e Kremlinit, agjencia e tij e marketingut krijon faqe të rreme interneti, madje ndonjëherë edhe dublon faqet e vërteta të lajmeve, për të mashtruar lexuesit. Objektivi duket se është shpesh ulja e mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën.

Në mars 2024, Departamenti amerikan i Thesarit, duke ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian, vendosi sanksione ndaj zotit Gambashidze, partnerit të tij në biznes dhe kompanive të tyre.

Kjo rriti vëmendjen ndaj këshilltarit pak të njohur deri atëherë, i cili pati punuar më përpara për ligjvënësit rusë dhe politikanët rajonalë. Megjithatë, pjesa më e madhe e biografisë së tij mbetet e panjohur.

Nëpërmjet një hetimi të ri, të bazuar tek studimi i të dhënave ruse, të dhënave të biznesit në Rusi dhe Evropë, si dhe të postimeve në mediat sociale, Zëri i Amerikës mund të nxjerrë tashmë në dritë më shumë informacion rreth rrugëtimit të zotit Gambashidze nga një këshilltar i thjeshtë, në personin që akuzohet si ideator i dezinformimit, si dhe për lidhjet e tij në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2013 deri në vitin 2020, kompanitë në pronësi të plotë, apo të pjesshme të zotit Gambashidze, apo familjarëve të tij të afërt, morën nga qeveria ruse kontrata prej 2.7 milionë dollarësh. Dhe këto nuk ishin kompanitë e vetme në pronësi të tij.

Megjithëse puna e zotit Gambashidze duket se synon të destabilizojë situatën sociale dhe politike në Amerikë, dy djemtë e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës e mësoi këtë pas hulumtimeve të kujdesshme të të dhënave publike dhe mediave sociale. Ish-bashkëshortja e zotit Gambashidze, e cila ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për gati 15 vite, e konfirmoi më pas këtë informacion. Zëri i Amerikës vendosi të mos publikojë emrat e djemve të tij, me qëllim ruajtjen e privatësisë së tyre.

Ish-bashkëshortja e zotit Gambashidze dhe bashkëshorti i saj i tanishëm thonë se pasojat e sanksioneve ekonomike ndaj “ekspertit politik” janë ndjerë më tepër tek fëmijët e tij, pasi është bërë e pamundur marrja e pagesave nga zoti Gambashidze për përkujdesin ndaj fëmijëve.

“Për mendimin tonë, të vetmen gjë që bëjnë këto sanksione është që dëmtojnë jetesën e fëmijëve të tij, që është modeste”, thotë njerku i djemve. “Ata thjesht shkojnë në shkolla publike, në kolegje komunitare”.

Investigimi i Zërit të Amerikës nxjerr në pah lidhjet mes interesave të biznesit rus dhe politikës së jashtme të Kremlinit, si dhe demonstron lidhjet mes personave që punojnë për të diskretituar institucionet perëndimore dhe vetë Perëndimin.

Nga një postim i vitit 2020 të kompanisë Structura (marrë nga arkivat e internetit)

Zëri i Amerikës arriti të kontaktojë me telefon me zotin Gambashidze në Moskë, por ai nuk pranoi të komentojë dhe kërkoi që pyetjet t’i dërgohen nëpërmjet aplikacionit Telegram. Më pas ai nuk iu përgjigj mesazheve.

Çfarë dihet për zotin Gambashidze?

Megjithëse është e vështirë të rindërtohet biografia e plotë e zotit Gambashidze, nga informacioni publik mund të ravijëzohet një portret i përgjithshëm i tij.

Zoti Gambashidze ka lindur në Kiev në vitin 1977, sipas informacioneve nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC), e cila është përgjegjëse për zbatimin e sanksioneve amerikane, si dhe sipas dokumenteve të biznesit me të cilat është njohur Zëri i Amerikës.

Në vitin 2008, ai mbrojti doktoraturën në sociologji në Universitetin Shtetëror Rus për Shkencat Sociale. Titulli i hulumtimit të tij ishte: "Veçoritë e zhvillimit të vetëqeverisjes lokale në Federatën Ruse në kontekstin e transformimit të sistemit partiak".

Një vit më vonë, zoti Gambashidze punoi si ndihmës i prefektit të Qarkut Verior të Moskës, kur u bë viktimë e një tentative të çuditshme rrëmbimi. Ish-gruaja dhe fëmijët e tij duket se kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara që nga ajo kohë.

Zoti Gambashidze vazhdoi të jetojë në Rusi, ku punoi si këshilltar i Pyotr Tolstoit, nënkryetarit të dhomës së ulët të parlamentit rus (Duma) dhe stërnipit të shkrimtarit të famshëm Leo Tolstoy.

Sipas njoftimeve të mediave, zoti Gambashidze ka punuar gjithashtu për Batu Khasikovin, guvernatorin në detyrë të Kalmykias-it, një rajon me pakicë budiste në Kaukazin e Veriut të Rusisë.

Në vitin 2023, në prag të zgjedhjeve parlamentare ruse, zoti Gambashidze punonte për Partinë Liberale Demokratike të Rusisë (LDPR), një parti politike nacionaliste që është pjesë e "opozitës" ruse që mbështet presidentin Putin.

Po atë vit, Shoqata Ruse e Këshilltarëve Politikë u dha ekipeve të tij çmime për tre projekte elektorale. Dy prej projekteve ishin të pazakonta: një monument për themeluesin e LDPR-së, Vladimir Zhirinovsky, i cili vdiq në vitin 2022, si dhe një tubim për 1 Majin, i simuluar në lojën kompjuterike të suksesshme ‘Minecraft’ dhe në ‘Neural Network Zhirinovsky’.

Projekti i fundit është një imazh dixhital, ndoshta i krijuar nëpërmjet inteligjencës artificiale, që mund t'u përgjigjet pyetjeve në stilin dhe zërin agresiv të Zhirinovskit.

Në mars 2024, para zgjedhjeve presidenciale ruse, u shfaq në internet një video muzikore humoristike që u kërkonte banorëve të qytetit qendror rus të Tambovit të dilnin për të votuar.

Videoja ishte prodhuar nga ekipi i zotit Gambashidze, shkruajti më vonë një nga bashkëpunëtorët e tij.

Në video, të rinjtë dhe të rejat me veshje popullore ruse kërcejnë përkrah njerëzve me kostume ariu dhe ujku, duke u rënë fizarmonikave dhe balalaikave dhe duke kënduar në anglisht (me një theks pothuajse të padeshifrueshëm rus) për dëshirën e tyre për të votuar.

"Zakon i popullit në vendin tonë - të gjithë shkojmë në qendrat e votimit", këndojnë ata në video. “Nuk ka autokraci, ne jetojmë në demokraci!”

Ekspertët e pavarur dhe qeveritë perëndimore nuk pajtohen absolutisht me këtë vlerësim.

Lexoni edhe këtë Putini fiton në zgjedhje pa një opozitë reale

Dezinformimi i Kremlinit

Që nga viti 2022, kompanitë e mediave sociale, studiuesit, qeveritë perëndimore dhe gazetarët i kanë lidhur gjithnjë e më shumë dy kompanitë e zotit Gambashidze me një projekt për përhapjen e dezinformatave në Ukrainë, Evropë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.

Në nëntor 2022, platforma e medias sociale Meta njoftoi se kishte hequr mbi 2,300 llogari dhe faqe nga rrjetet Facebook dhe Instagram për "sjellje jo-autentike të koordinuar".

Llogaritë shpërndanin materiale nga faqe interneti që paraqiteshin si media reale dhe faqe qeveritare. Artikujt “kritikonin Ukrainën, lavdëronin Rusinë dhe argumentonin se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë do të jepnin rezultatin e kundërt”, sipas kompanisë Meta.

Në objektiv të dezinformimit ishin Evropa dhe Ukraina. Zyrtarët evropianë më vonë e quajtën fushatën "Doppelganger" (“Sozia”).

Kompania Meta e lidhi këtë fushatë me dy firma ruse: kompaninë e marketingut Social Design Agency (SDA) dhe firmën teknologjike Structura, të cilat së bashku shpenzuan rreth 105,000 dollarë për reklama në Facebook dhe Instagram.

Sipas Departamentit të Thesarit, SDA-ja u themelua nga zoti Gambashidze dhe është e regjistruar zyrtarisht në emrin e një gruaje që duket se ka lidhje me punën e tij në sferën politike në Tambov.

Zoti Gambashidze ishte gjithashtu bashkëthemelues i kompanisë Structura, por sot ajo i përket Nikolai Tupikinit, i cili është edhe më pak i njohur. Ekziston vetëm një foto "zyrtare" e tij nga një kanal rus në Telegram kushtuar kompanive të reja. Informacione të tjera të disponueshme janë shumë të pakta.

Zoti Tupikin nuk pranoi të komentojë kur Zëri i Amerikës e kontaktoi me telefon. Ai nuk iu përgjigj një kërkese të mëvonshme për koment nëpërmjet postës elektronike.

Një fotografi e Nikolai Tupikinit publikuar në Telegram nga kompania e re "Startapernaya."

Në korrik 2023, Bashkimi Evropian vendosi sanksione kundër zotit Gambashidze dhe kompanive SDA dhe Structura.

Në nëntor 2023, ndërsa kishte filluar lufta Izrael-Hamas, simboli hebre ‘Ylli i Davidit’ filloi të shfaqet në muret e Parisit. Pamjet qarkulluan në mënyrë masive në rrjetet sociale. Policia franceze arrestoi me shpejtësi dy shtetas moldavë për pikturimin e simboleve hebreje. Ata dyshohet se kishin vepruar me porosi të një sipërmarrësi pro-Kremlinit në Transnistria, një rajon separatist në Moldavi.

Autoritetet franceze akuzuan fushatën ‘Doppelganger’ se po përpiqej të provokonte tensione në Francë duke shpërndarë foto të yjeve të pikturuar. Ambasada ruse në Paris i mohoi akuzat.

Më vonë, gazeta franceze Le Monde raportoi se agjencia franceze e zbulimit dyshonte se ky provokim u orkestrua nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë.

Në nëntor 2023, Qendra e Departamentit amerikan të Shtetit për Angazhimin Global akuzoi zotin Gambashidze, zotin Tupikin dhe kompanitë e tyre për nisjen e një fushate dezinformimi në shkallë të gjerë në Amerikën Latine, me urdhër të Kremlinit.

Në një seri artikujsh të bazuar në dokumentet e zbuluara të Kremlinit, gazeta The Washington Post krijoi një pamje edhe më të qartë të fushatës ‘Doppelganger’.

Ekipi i ekspertëve politikë që ideoi këtë fushatë punon nën drejtimin e Sergei Kiriyenkos, nëndrejtori i parë i Administratës Presidenciale të Rusisë, që ka normalisht përgjegjësinë për mbikëqyrjen e politikës së brendshme.

Ata përdorën shërbimet e kompanive të programeve të automatizuara (bots), të cilat ndonjëherë postonin në rrjetet sociale duke u shtirur si banorë të zakonshëm të Shteteve të Bashkuara që kundërshtojnë mbështetjen amerikane për Ukrainën. Ato u përpoqën të nxisin frikën për sigurinë kufitare, të rrisin tensionet racore dhe ekonomike dhe të mbështesin rrymën izolacioniste në Shtetet e Bashkuara, raportoi gazeta The Washington Post.

Aktiviteti i kësaj fushate i ngjasonte aktivitetit të kompanive ruse që u akuzuan për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimeve të gazetës The Washington Post, koordinatorja dhe “truri” i fushatës së dezinformimit në Evropë dhe Ukrainë është Sofia Zakharova, një zyrtare e Kremlinit që punon në zyrën për teknologjinë e informacionit dhe infrastrukturën e komunikimeve.

Ekziston informacion i pakët për zonjën Zakharova. Megjithatë, sipas një postimi në rrjetet sociale që dokumenton një takim të kësaj zyrtareje me studentët, ajo është e diplomuar në Akademinë Diplomatike të Rusisë dhe ka përvojë pune në Administratën Presidenciale, Ministrinë e Jashtme dhe Kombet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës nuk arriti ta kontaktojë zonjën Zakharova në Administratën Presidenciale, apo nëpërmjet ambasadës ruse në Shtetet e Bashkuara.

Duke gjykuar nga informacionet publike, që nga viti 2019 zonja Zakharova ka marrë pjesë rregullisht në konferenca dhe aktivitete kushtuar inteligjencës artificiale. Në të paktën dy raste, ajo përfaqësoi agjencinë e saj në takimet e Komisionit të posaçëm të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale.

Sofia Zakharova gjatë një takimi për inteligjencën artificiale

"Tematika dominuese në zgjedhjet në mbarë globin deri më tani këtë vit përqendrohet në përdorimin dashakeq të inteligjencës artificiale për propagandë dhe dezinformim", vihet në dukje në një raport të fundit të Qendrës për Zbulimin e Kërcënimeve, të kompanisë Microsoft.

Studiuesit nga Universiteti George Washington parashikuan kohët e fundit se incidentet nga "faktorë keqdashës në fushën e inteligjencës artificiale" do të bëhen një dukuri e përditshme deri në mesin e vitit 2024. Sipas kompanisë Microsoft, kjo teknologji megjithatë nuk ka demonstruar ende efikasitet domethënës për përhapje të dezinformatave.

Zoti Gambashidze është gjithashtu i përfshirë me inteligjencën artificiale. Në një koment të fundit për agjencinë sociologjike ruse ‘Russian Field’, ai sugjeroi se ekspertët politikë "do të fillojnë të përdorin në mënyrë aktive inteligjencën artificiale për të mbledhur dhe përpunuar informacione nga interneti; ata do të studiojnë komentet në rrjetet sociale dhe tonin e postimeve, do të vlerësojnë artikujt në media, e kështu me radhë”.

“Po, sigurisht, firmat e programeve të automatizuara dhe urdhrat politikë do të sjellin edhe gabime”, shtoi strategu politik, “por tabloja e përgjithshme do të jetë e qartë”.

Teknologjia politike dhe aspekti i marrëdhënieve me publikun

Përveç punës për politikanët dhe Kremlinin, gjatë dekadës së fundit zoti Gambashidze ka ushtruar aktivitet edhe në fusha të ndryshme të biznesit. Që nga viti 2013, kompanitë e tij kanë fituar vazhdimisht tendera publikë.

Zoti Gambashidze zotëronte një të tretën e aksioneve në një kompani të quajtur ‘Deep Communication’. Sipas portalit zyrtar të prokurimeve shtetërore ruse, në vitet 2014-2016, kjo kompani ka fituar 12 kontrata me vlerë rreth 1.76 milionë dollarë, sipas kursit të këmbimit të vitit 2016.

Në vitin 2014, kompania U.S.P.R., në pronësi të zotit Gambashidze dhe një partneri të tij në biznes, mori një kontratë qeveritare me vlerë rreth 83,000 dollarë, bazuar në kursin mesatar të këmbimit atë vit.

Nga viti 2013 deri në vitin 2017, kompania ‘Energy’, në pronësi të zotit Gambashidze, mori 15 kontrata qeveritare me vlerë pothuajse 975,000 dollarë. Kompania ‘Etude’, në pronësi të një personi të afërt me të (me sa duket vetë nëna e tij), mori një kontratë për afërsisht 25,000 dollarë në vitin 2020.

Disa nga shërbimet e ofruara nga kompanitë e zotit Gambashidze ishin të parashikueshme, duke patur parasysh linjën e tij të punës: mirëmbajtja e faqeve të internetit, hulumtimi i opinionit publik, reklamimi, organizimi i grupeve të përqendruara në tematika të caktuara, etj.

Pati edhe detyra më të papritura: Sipas njërës prej kontratave, kompania ‘Deep Communication’ ishte e përfshirë në prodhimin e filmit të quajtur ‘Jasmine’, i cili mori financim nga qeveria. Duke gjykuar nga informacioni në kontratë dhe të dhënat nga burime publike, filmi ‘Jasmine’ i referohet filmit ‘Hit’ me regji të Margarita Mikhailovas, i cili doli në treg në vitin 2016.

Filmi figuron në biografinë e zotit Gambashidze më shumë se një herë. Kompania ‘Deep Communication’ ka punuar gjithashtu për filmin e prodhuar bashkërisht nga Rusia dhe Kirkiztani, ‘Suleiman-Too’, dhe për arsye të paqarta, zoti Gambashidze shfaqet në sfondin e një fotografie të aktorit amerikan Zac Efron duke hyrë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2012.

Në total, kompanitë e zotit Gambashidze morën kontrata shtetërore me vlerë mbi 2.7 milionë dollarë, sipas kursit mesatar të këmbimit të vitit 2016. Pothuajse të gjitha kompanitë që morën këto kontrata kanë mbyllur tashmë aktivitetin.

Kur Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj zotit Gambashidze në mars 2024, u ngrinë dy llogari me kripto-monedha. Sipas studiuesve të firmës ‘Chainalysis’, këto llogari kishin marrë rreth 200,000 dollarë në kripto-monedha. Një pjesë e konsiderueshme ishte transferuar nëpërmjet shërbimit të ligjshëm për shkëmbimin e kripto-monedhave, Garantex.

Zoti Gambashidze zotëronte gjithashtu disa kompani që nuk patën përfituar kontrata qeveritare. Fushat e tyre të aktivitetit duket se përfshijnë industrinë e restoranteve, sigurimeve dhe madje edhe një "kampionat për leximin me zë të lartë".

Përveç kësaj, zoti Gambashidze është pronar i kompanisë bullgare "Moi Bryag" ("Bregu im"), të cilën e trashëgoi nga babai i tij. Sipas pasqyrave financiare zyrtare, kompania nuk ka patur ndonjëherë fitim.

Faqja e mundshme e internetit e kësaj kompanie, e cila duket se ka patur më parë një zyrë në Moskë, nuk është më funksionale, por versionet e arkivuara të faqes tregojnë se "Bregu im" reklamonte pasuri të patundshme në bregdetin e Detit të Zi të Bullgarisë, si dhe në Greqi.

Sipas dokumenteve bullgare, babai i zotit Gambashidze ka një apartament në qytetin bullgar Byala.

Kompanitë bullgare që dikur përdoreshin nga zoti Gambashidze për të ruajtur pasuritë ose për të nxjerrë fitim, sot janë të paarritshme për të, për shkak të sanksioneve. Dhe, sipas familjes së ish-gruas së tij në Shtetet e Bashkuara, kjo krijon probleme për fëmijët e tij amerikanë.

E vetmja mënyrë për të marrë mbështetjen financiare për fëmijët nga zoti Gambashidze, është që të merret një leje e veçantë nga Departamenti amerikan i Thesarit, thonë nëna dhe njerku i fëmijëve të zotit Gambashidze. Deri më tani, kjo nuk ka qenë e mundur.

Sanksionet prekën “vetëm fëmijët e tij, të cilët janë shtetas amerikanë dhe nxënës të mirë”, tha njerku i tyre. “Ata nuk jetojnë në Rusi, ata jetojnë këtu përgjithmonë. Ata janë krejtësisht amerikanë. Kjo i dëmton ata më së shumti”.