Lidhje

Putini fiton në zgjedhje pa një opozitë reale


Presidenti rus Putin duke folur nga shtabi i tij elektoral në Moskë
Presidenti rus Putin duke folur nga shtabi i tij elektoral në Moskë

Presidenti rus Vladimir Putin përshëndeti fitoren për një mandat të ri gjashtëvjeçar, pas një procesi zgjedhor që nuk u dha votuesve ndonjë alternativë të vërtetë, për shkak të frikësimit apo burgosjes së pjesës më të madhe të kundërshtarëve të mundshëm.

Putini fiton në zgjedhje pa një opozitë reale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Zoti Putin u tha mbështetësve se ai i konsideron zgjedhjet demokratike dhe hodhi poshtë përpjekjet e atyre që protestuan ndaj këtij procesi zgjedhor.

“Kemi shumë punë për të bërë. Por, kur ne jemi të konsoliduar – pavarësisht se kush dëshiron të na frikësojë, të na shtypë – askush nuk ia ka dalë mbanë ndonjëherë në histori; nuk ia kanë dalë mbanë tani dhe nuk do t’ia dalin mbanë ndonjëherë në të ardhmen”, tha zoti Putin.

Zgjedhjet treditore që filluan të premten për të zgjatur më tej sundimin 24-vjeçar të zotit Putin, u zhvilluan në një mjedis të kontrolluar rreptësisht, ku nuk u lejua asnjë kritikë ndaj zotit Putin apo luftës që ai filloi në Ukrainë.

Rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor tregojnë se zoti Putin mori 87% të votave.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se kandidati komunist Nikolai Kharitonov u rendit i dyti me vetëm 4% të votës, kandidati i ri në politikë Vladislav Davankon u rendit i treti dhe ultra-nacionalisti Leonid Slutsky i katërti.

“Është e qartë se zgjedhjet nuk janë as të lira dhe as të ndershme, duke patur paraysh se si zoti Putin ka burgosur kundërshtarët politikë dhe ua ka ndaluar të tjerëve të kandidojnë përballë tij”, tha nga Shtëpia e Bardhë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij mbrëmjen e së djelës se zoti Putin është bërë “i sëmurë pas pushtetit”.

“Nuk ekziston asnjë lloj ligësie që ai nuk do ta bënte për të zgjatur pushtetin e tij personal”, tha zoti Zelenskyy.

Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron kritikoi zgjedhjet të cilave u “mungonin alternativat për votuesit”, si dhe asnjë lloj monitorimi i pavarur nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).

“Nuk janë të tilla zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha zoti Cameron në rrjetin X.

Kina përgëzoi zotin Putin për fitoren e tij, duke nënvizuar marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve.

“Besojmë se nën udhëheqjen strategjike të presidentit Xi Jinping dhe të presidentit Putin, marrëdhëniet Kinë-Rusi do të vazhdojnë të përparojnë”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian, kur u pyet për zgjedhjet në Rusi.

Udhëheqësit e Koresë së Veriut, Hondurasit, Nikaraguas dhe Venezuelës gjithashtu përshëndetën fitoren e zotit Putin.

Alexey Navalny, kundërshtari më i ashpër politik i zotit Putin, vdiq në një burg në Arktik muajin e kaluar dhe kritikët e tjerë ose janë burgosur ose janë në mërgim. Por, duke përmbushur kërkesën e fundit politike të zotit Navalny, radhë të gjata votuesish u krijuan përpara qendrave të votimit në qytetet kryesore pikërish në orën 12 të mesditës, për të hedhur kështu në mënyrë simbolike, megjithëse të paefektshme, votën e tyre kundër 71-vjeçarit Putin.

Bashkëpunëtorët e zotit Navalny i inkurajuan njerëzit të merrnin pjesë në protestën që vetë zoti Navalny e mbështeti pak përpara vdekjes së tij të papritur në një burg siberian në muajin shkurt.

Disa thanë se do të shkruanin në emrin e zotit Navalny. Pas vdekjes së tij muajin e kaluar njerëzit krijuan memoriale në mbarë vendin, të cilat autoritetet ruse i hoqën me shpejtësi.

U njoftuan edhe disa dhjetëra raste vandalizmi në qendrat e votimit.

Organizata OVD-info, që monitoron arrestimet politike në Rusi, tha se mbi 50 persona u arrestuan në 14 qytete në mbarë vendin të djelën.

Protesta të ngjashme duket se pati në ambasadat ruse në mbarë botën. Në qendrat e votimit të ngritura në misionet diplomatike ruse në Australi, Armeni, Kazakistan dhe Japoni, qindra rusë qëndronin në radhë në mesditë.

Në kryeqytetin gjerman Berlin, e veja e zotit Navalny, Yulia Navalnaya, e cila është bërë imazhi i fushatës pas vdekjes së tij, u shfaq tek ambasada ruse për të marrë pjesë në protestë, ndërsa të pranishmit e duartrokisnin dhe thërrisnin emrin e saj.

“Alexey po luftonte për gjëra shumë të thjeshta: për lirinë e fjalës, për zgjedhje të ndershme, për demokracinë dhe të drejtën tonë për të jetuar pa korrupsion dhe luftë”, tha zonja Navalnaya në një mesazh drejtuar një tubimi në Budapest më 15 mars. “Putini nuk është Rusia. Rusia nuk është Putini”.

Zoti Putin, në komentin e tij të parë publik pas vdekjes së zotit Navalny, e quajti vdekjen e tij një “ngjarje të trishtë”. Zoti Putin konfirmoi gjithashtu se kishte patur një përpjekje për shkëmbim të burgosurish, ndër të cilët do të ishte edhe zoti Navalny.

Por megjithë shenjat e manifestimit të kundërshtimit, fitorja e zotit Putin nuk vihej në dyshim. Nëse vazhdon në detyrë deri në fund të mandatit të tij të gjashtë, ai do t’ia kalojë edhe Josef Stalinit dhe do të bëhet udhëheqësi më afatgjatë i Rusisë në dy shekuj.

Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press, AFP dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG