Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi të martën rëndësinë e përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm nga autoritetet e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Ai i ka bëre këto komente gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, njoftoi zyra e presidencës franceze.
Në njoftim thuhet se presidenti Macron theksoi “mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës”. Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe mbështetjen për ndërmjetësimin evropian, si dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Presidenti francez, thuhet në njoftim, ka përshëndetur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit ndërsa ka shprehur keqardhjen për dështimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
“Organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt është i domosdoshëm, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, thuhet në deklaratë.
Javën e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave muajin e ardhshëm.
Lexoni edhe këtë Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës voton për anëtarësimin e KosovësNdonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e "Quint-it", siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.
Kosova dhe Serbia u morën vësh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.
Në projektstatutin e hartuar nga diplomatët perëndimorë thuhet se ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.
Diplomatët presin që autoritetet në Prishtinë ta dërgojnë projektstatutin në Gjykatën Kushtetuese dhe për ta bërë këtë, ai duhet të miratohet nga qeveria dhe të shndërrohet në dokument juridik të shqyrtueshëm nga Gjykata.
Lexoni edhe këtë Presidentja Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të vetaPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se “sipas statutit por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e qeverisë së Kosovës. Pra mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë, mirëpo kjo varet shumë edhe nga rrjedha e dialogut. Duhet të kemi plan sekuencimi, i cili parasheh qartë se cili hap nga Kosova ndërmerret i pari, cili hap nga Serbia ndërmerret po ashtu paralelisht, në mënyrë që të dyja palët të zbatojnë në paralel dhe të dyja palët të përfitojnë”.
Presidenti serb ka akuzuar autoritetet në Prishtinë dhe Bashkimin Evropian se po gënjejnë rreth asociacionit, dhe se sipas tij Serbia do të vazhdojë t’i kundërvihet procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse në marrëveshjen e vitit të kaluar palët janë pajtuar se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.