Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi të martën raportin për anëtarësim të Kosovës në këtë këshill.
Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 të paanshme, miratimi i raportit tashmë i hap rrugën vendimit përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës, që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës. Edhe në këtë fazë, Kosova duhet të sigurojë votat e dy të tretave të vendeve anëtare që marrin pjesë në votim.
Në fillim të seancës, raportuesja Dora Bakoyanis, u bëri thirrje të gjithë anëtarëve që të mbështesin këtë kërkesë, por ajo u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e Serbisë.
Kryetarja e delegacionit serb, Biljana Pantiq Pilja, tha se nëse lejohet anëtarësimi i Kosovës pa themelimin e tij, Asociacioni nuk do të bëhet kurrë.
"Dëshiroj t'ju përgëzoj për atë që po bëni sot. Ju do të hyni në histori si dikush që shkeli brutalisht të drejtën ndërkombëtare në të cilën bazohet Këshilli i Evropës. Nëse e lejoni Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa e themeluar Asociacionin, nuk do të krijohet kurrë. Ju thatë dhe keni shkruar se themelimin e Asociacionit e konsideroni kusht të domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, pse nuk flisni për të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë”, tha ajo.
Por zonja Bakoyanis, nënvizoi përparimin që ka shënuar në disa çështje të rëndësishme Kosova, siç është vendimi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit, duke theksuar se çështja e Asociacionit duhet të zgjidhet në kuadër të bisedimeve Kosovë - Serbi.
“Që nga publikimi i raportit kam marrë kritika të forta dhe në disa raste edhe sulme personale. Komentet më agresive janë bërë nga anëtarët të cilët vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën. Aty do t’u uroja përzemërsisht që të jenë të sinqertë sepse në të vërtetë për ta nuk ka pasur kurrë rëndësi se cilat parakushte do t’i viheshin Kosovës. Nuk ka parakushte me të cilat këta anëtarë do ta mbështesnin një raport pozitiv për arsyen e thjeshtë se kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë asgjë me kriteret e anëtarësimit, por ata kundërshtojnë idenë e një shteti të Kosovës”, tha ajo.
Vendimi u mirëprit nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, që e vlerësuan votimin si një moment historik.
“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë. Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut”, shkroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, shkroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Autoritetet në Serbi që janë vënë në një fushatë për të parandaluar këtë proces, theksojnë se do të luftojnë për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe argumenti kryesor sipas tyre është “mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Ndonëse në raport nënvizohet se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e "Quint-it", siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.