62 vjet heqje lirie për gjashtë persona që përdhunuan një vajzë të mitur në Prishtinë

Një gjykatë në Prishtinë dënoi të martën me gjithsej 62 vjet heqje lirie gjashtë persona për përdhunimin e një të miture në vitin 2022.

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi kanë kryer veprën penale të dhunimit. I akuzuari B.RR është dënuar me dymbëdhjetë vjet heqje lirie, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar me nga dhjetë vjet heqje lirie”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Dy nga të akuzuarit janë liruar.

Të gjithë ishin akuzuar në dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për përfshirje në përdhunimin e një 11 vjeçareje në qershor të vitit 2022 në Prishtinë.

Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës dy vjet më parë, kishte nxitur reagime të ashpra të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Fillimisht autoritetet thanë se e mitura ishte përdhunuar në gusht të vitit 2022 në një park në Prishtinë, por hollësitë e paraqitura më vonë treguan se ndaj të miturës janë kryer disa raste të përdhunimit në një periudhë mbi një vjeçare.

Lexoni edhe këtë Reagime mbi përdhunimin e të miturës në Prishtinë

Publikimi i këtij rasti u pasua me protesta të njëpasnjëshme në Kosovë mes shqetësimeve për shkallën e ultë të sigurisë së grave e vajzave në vend dhe trajtimin rasteve të dhunës ndaj tyre nga autoritetet. Ngjarja bëri që drejtori i atëhershëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe shefi i drejtorisë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve, Ali Gashi, të japin dorëheqje.