FDH: Gjykimi në mungesë – kthesë e re në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë

Fondi për të Drejtën Humanitare tha të premten se gjatë vitit 2023 janë ngritur gjithsej 15 aktakuza, një pjesë e të cilave në mungesë, kundër 68 pjesëtarëve të forcave serbe për krime kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit “Fillimi i një faze të re në gjykimin e krimeve të luftës” i cili përshkruan ngecjet e sistemit të drejtësisë në trajtimin e krimeve të luftës, ndërsa thekson sfidat që pasojnë fillimin e proceseve të para të gjykimeve në mungesë, që u mundësuan me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në Kosovë.

“Prej pesëmbëdhjetë aktakuzave të ngritura, tetë janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtarëve të forcave serbe të cilët janë arrestuar nga policia e Kosovës dhe ndodhen në paraburgim. Gjatë vitit 2023 kanë filluar ose në faza të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale në 26 lëndë kundër 81 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Albina Shabani Rama, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se gjykimi në mungesë paraqet kthesë në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Fakti që prej vitit të kaluar kanë filluar të ngriten aktakuzat në mungesë është një risi, është një përparësi për viktimat që do të trajtohen rastet që kanë pritur me vite të tëra. Për neve si gjykatë ka qenë një sfidë por me bashkëpunimin e madh që kemi pasur brenda sistemit por edhe me partnerët, ka filluar trajtimi dhe janë caktuar seancat e para për gjykim në mungesë dhe mendoj se shumë shpejt do t’i kemi edhe aktgjykimet e para në mungesë”, tha ajo.

Lexoni edhe këtë 25 vjet pas masakrës së Poklekut në Kosovë, dhimbje dhe apel për drejtësinë e munguar

Numri i ultë i prokurorëve e gjykatësve dhe mungesa e bashkëpunimit nga Serbia përmenden si dy nga sfidat më të mëdha në ndjekjen e krimeve të luftës.

I ngarkuari me punë në ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs, tha se përballja me trashëgiminë e së kaluarës është thelbësore për të nderuar të drejtat e viktimave dhe për të shtruar rrugën e paqes afatgjate dhe pajtimit.

“Është e domosdoshme të kuptohet se të gjitha viktimat meritojnë drejtësi për krimet e kryera kundër tyre dhe familjeve të tyre. Çdo gjykim i suksesshëm jo vetëm që sjell të vërtetën në dritë por shërben edhe si shenjë që krimet e luftës nuk do të harrohen dhe autorët e tyre një ditë do të mbahen përgjegjës. Megjithatë, koha ka rëndësi sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”, tha ai.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, përgjegjësinë për ndjekjen e krimeve të luftës e kishte fillimisht Misioni i Kombeve të Bashkuara, e më pas misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit. Diku nga fillimi i vitit 2016 Prokuroria e Posaçme e Kosovës nisi marrjen e lëndëve, për të marrë përgjegjësinë për të gjitha rastet në fund të vitit 2018.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. 25 vjet pas, vetëm 74 persona janë dënuar nga gjykatat vendëse e ndërkombëtare për kryerjen e krimeve të luftës dhe veprimtarët humanitarë thonë se drejtësia për viktimat dhe familjarët e tyre, duket të jetë ende larg.