Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të enjten se mungesa e bashkërendimit të qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhur me rregulloren që ndalon dinarin serb, tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një konferencë shtypi, ambasadori Hovenier vuri theksin në kritikat që i bëri qeverisë së Kosovës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien gjatë një interviste për Zërin e Amerikës dy ditë më parë, në të cilën tha se qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Jam i brengosur me deklaratat pas kësaj interviste që sugjerojnë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë ndikuar dhe se nuk mund të ndikohen nga kjo situatë. Më duhet të jem i qartë, kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, ky thjeshtë nuk është i tillë si rast. Siç tha edhe zoti O’Brien kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet dy qeverive tona. Çdo interpretim tjetër paraqet një keqkuptim thelbësor, keqinterpretim të rëndësisë që ne i japim zgjidhjes së kësaj çështjeje”, tha ai.
Lexoni edhe këtë O'Brien: Qeveria të tërhiqet nga vendimi për dinarinRregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj.
I pyetur nga gazetarët rreth komenteve të zotit O’Brien, të mërkurën kryeministri Albin Kurti ndonëse theksoi se Shtetet e Bashkuara paraqesin mikun dhe partnerin më të rëndësishëm që ka Kosova, nuk la të nënkuptohet se do të tërhiqet nga vendimi për dinarin.
Ambsadori Hovenier tha sot se Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria të dëgjojë këshillën e tyre dhe të veprojë në bazë të kërkesave perëndimore.
“Ne shpresojmë që qeveria e kryeministrit Kurti do të angazhohet si partner gjithashtu për të zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të ndërmarrë veprime të njëanshme dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kërkesat tona. Ne jemi të shqetësuar, madje do të thosha të frustruar që qeveria e kryeministrit Kurti nuk e ka bërë këtë dhe çdo sugjerim që gjërat janë në rregull dhe se në qetësi ne jemi të gjithë të pajtimit me njëri tjetrin, është thjeshtë i pavërtetë. Jemi të brengosur, të frustruar dhe mendoj se toni i zotit O’Brien gjatë intervistës e pasqyron këtë në mënyrë shumë, shumë të qartë”, tha ai.
Ambasadori amerikan tha se zbatimi i rregullores duhet të shtyhet derisa të vendoset një procedurë që i mundëson Serbisë të transferojë fonde në përputhje me rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës dhe standardet evropiane e praktikat e qeverisjes së mirë.
“Mekanizmi për të zhvilluar këtë bisedë është dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ne e kemi thënë këtë, Bashkimi Evropian e ka thënë këtë, një numër anëtarësh në Këshillin e Sigurimit e kanë thënë këtë jo më larg se javën e kaluar. Prandaj nuk e kuptoj përse disa njerëz do të donin të ishte ndryshe, por unë po u them se si është sipas pritshmërive tona”, tha ai.
Lexoni edhe këtë Kosova përballë thirrjeve për bashkërendim me SHBA-nëKundërshtimet rreth zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore kanë ngritur shqetësime në Kosovë mbi ndikimin që mund të sjellin në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar shtyrjen e tij. Njohës të zhvillimeve politike në vend thonë se autoritetet në Kosovë duhet të ndërmarrin veprime sa më parë në përputhje me kërkesat ndërkombëtare për të mos lejuar që deklarimet të shndërrohen në masa konkrete ndëshkuese.
Misioni amerikan në OSBE: Palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të angazhohen në dialog
Në një deklaratë të enjten, zëvendës shefja e misionit amerikan pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Tracy Newell theksoi se Shtetet e Bashkuara “nxisin dy shtetet të angazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të forcuar demokracinë, integrimin ekonomik evropian dhe për të zhvilluar bashkëpunim shumetnik dhe respekt.”
“Vendimi i njëanshëm i Kosovës për të kufizuar importimin e dinarit serb nuk i avancon këto qëllime”, deklaroi zonja Newell. “I bëjmë thirrje Kosovës që menjëherë ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi dhe që të gjitha palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Në vazhdim, zonja Newell tha se “jemi thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit, të pa koordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, përfshirë bastisjet në institucionet e mbështetura nga Serbia dhe mbyllja e shërbimeve nga të cilat varen qytetarët e Kosovës”.
Sipas saj, “këto veprime bien ndesh me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që në mënyrë konstruktive t’u japë përgjigje çështjeve që prekin komunitetin pakicë serb në Kosovë” përmes dialogut.
Zonja Newell gjithashtu shtoi se “dështimi i Serbisë për të mbajtur përgjegjës autorët e sulmeve të 24 shtatorit në afërsi të Manastirit të Banjskës, është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin që nevojitet për normalizim”.
“Menjëherë pas këtyre sulmeve, i kemi bërë thirrje Serbisë t’i mbajë përgjegjës të gjithë që ishin përgjegjës,” shtoi ajo. “Fatkeqësisht, sot na duhet ta bëjmë sërish një gjë të tillë.”
Sipas saj, Kosova i ka dorëzuar Bashkimit Evropian “një raport 48-faqësh më 26 janar, që prezanton gjetjet e saj mbi sulmin e Banjskës. Ish udhëheqësi i Listës Serbe, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe BE-ja, Milan Radoiçiç dhe të tjerët përgjegjës për këto veprime të tmerrshme nuk janë mbajtur përgjegjës”.
“Serbia duhet t’i mbajë kryesit dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit përgjegjës dhe të punojë me KFOR-in, misionin paqeruajtës të NATO-s, për t’u siguruar se një sulm tjetër si ky të mos përsëritet”.
Në fund të deklaratës zonja Newell, thotë se “përparësi e jona mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin për zbatim në shkurt dhe mars të vitit 2023, për të cilat BE-ja thotë se janë detyrime ligjore”.
“Ato shërbejnë si një udhërrëfyes për secilën palë për shtensionim dhe për të lëvizur me urgjencë përpara në rrugën e tyre evropiane,” thuhet në deklaratë. “Përparimi drejt paqes afatgjatë është me rëndësi qenësore për njerëzit e Kosovës dhe Serbisë dhe për stabilitetin afatgjatë të rajonit”.