Në një intervistë më shumë se dy orëshe, të regjistruar paraprakisht me presidentin rus Vladimir Putin, që u publikua të enjten, ish-prezantuesi i kanalit Fox News, Tucker Carlson, e pyeti udhëheqësin rus për luftën në Ukrainë dhe gazetarin e burgosur amerikan Evan Gershkovich.
Që nga paralajmërimi i intervistës këtë javë, zoti Carlson është përballur me kritika nga kolegët e tij gazetarë, të cilët thonë se në kushtet e mungesës së lirisë së shtypit në Rusi, ai mund të ndihmojë në promovimin e propagandës ruse.
Lexoni edhe këtë Gazetarët kritikojnë ish-prezantuesin e rrjetit Fox News, Tucker Carlson për intervistën me PutininNë fillim të intervistës, gazetari Carlson duket se e pranon variantineshtrembëruar historik që presidenti Putin paraqiti për të justifikuar agresionin rus në Ukrainë në vitin 2022, duke e quajtur atë "këndvështrim të sinqertë" të udhëheqësit rus.
Por gazetari Carlson iu kundërvu pretendimeve të presidentit Putin se Evan Gershkovich, gazetar amerikan i‘Wall Street Journal’, është spiun dhe e pyeti nëse Rusia do ta lironte gazetarin të kthehej në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka asnjë tabu për ta zgjidhur këtë çështje", tha presidenti Putin në intervistë. "Ne jemi të gatshëm ta zgjidhim atë, por ka kushte të caktuara që po diskutohen nëpërmjet kanaleve të shërbimeve të posaçme. Unë besoj se një marrëveshje mund të arrihet".
Në Rusi, agjencive të zbulimit shpesh u referohen jozyrtarisht si “shërbime të posaçme”.
Gazetari Gershkovich i ka mohuar akuzat
Deklaratat e presidentit Putin janë komentet e tij më të gjera publike për zotin Gershkovich, që kur gazetari i ‘Wall Street Journal’ u burgos në mars të vitit 2023 nën akuzat për spiunazh, që shihen gjerësisht si të pambështetura dhe të motivuara politikisht.
Gazetari Gershkovich, kompania e tij dhe qeveria amerikane i mohojnë me forcë akuzat kundër tij. Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu e ka shpallur zotin Gershkovich të arrestuar në mënyrë të paligjshme.
Presidenti Putin la të nënkuptohej se Moska do të ishte e gatshme të shkëmbente Gershkoviçin me një vrasës rus të burgosur në Gjermani.
Vrasësi në fjalë është Vadim Krasikov. Në vitin 2021 një gjykatë gjermane e shpalli fajtor Krasikovin fajtor për vrasjen e një ish udhëheqësi kryengritës çeçen në Berlin në vitin 2019. Gjykata tha se autoritetet ruse urdhëruan vrasjen dhe e dënoi Krasikovin me burgim të përjetshëm.
“Nisur nga ndjenjat patriotike, ai eliminoi një bandit në një nga kryeqytetet evropiane”, tha presidenti Putin.
‘Wall Street Journal’ka raportuar më parë se Moska dëshironte që Krasikovi të lirohej në një shkëmbim të burgosurish, ndoshta me zotin Gershkovich.
Nuk ka prova për akuzat për spiunazh
Pavarësisht se po e mban në burg zotin Gershkovich për gati një vit nën akuzat për spiunazh, Moska deri më tani nuk ka arritur të ofrojë publikisht asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj. Në intervistë, presidenti Putin këmbënguli në pretendimet për spiunazh, por nuk dha asnjë provë.
Gazetari Carlson i kundërshtoi pretendimet për spiunazh, duke thënë në një moment gjatë intervistës se “djaloshi qartazi nuk është spiun".
Ish prezantuesi i kanalit Fox News e pyeti gjithashtu presidentin rus nëse ai do ta lironte zotin Gershkovich "si një shenjë të vullnetit të mirë”. Presidenti Putin u përgjigj duke thënë se Rusisë i kanë mbaruar "gjestet e tilla”.
Në intervistë nuk u përmend gazetarja amerikane e burgosur aktualisht në Rusi, Alsu Kurmasheva, një redaktore me seli në Pragë në shërbimin Tatar-Bashkir të radios simotër të Zërit të Amerikës, Radio Evropa e Lirë.
Lexoni edhe këtë Rusia arreston gazetaren amerikane të Radios Evropa e LirëGazetarja Kurmasheva, me shtetësi të dyfishtë amerikano-ruse, udhëtoi në Rusi në maj të vitit 2023 për një emergjencë familjare. Kur ajo provoi të largohej nga vendi në muajin qershor, iu konfiskuan pasaportat.
Ajo po priste që t'i ktheheshin pasaportat kur u ndalua në tetor me akuzën se nuk u regjistrua si "agjente e huaj". Autoritetet më vonë shtuan akuzat për përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse.
Gazetarja Kurmasheva dhe Radio Evropa e Lirë, i kanë hedhur poshtë akuzat kundër saj.