Lidhje

Gazetarët kritikojnë ish-prezantuesin e rrjetit Fox News, Tucker Carlson për intervistën me Putinin


Njoftimi të martën nga ish drejtuesi i një edicioni informativ në televizionin Fox News, Tucker Carlson, se kishte intervistuar Presidentin Vladimir Putin, është pritur me kritika nga një sërë gazetarësh. Disa prej kritikëve thonë se Kremlini mund ta shfrytëzojë intervistën për qëllime propagandistike.

Në një video të postuar në rrjetin X, zoti Carlson tha se donte ta intervistonte udhëheqësin rus sepse, “amerikanët kanë të drejtë të dinë gjithçka të mundur për një luftë në të cilën janë të përfshirë”.

Rusia do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale në mes të muajit mars dhe zoti Putin e ka të garantuar fitoren.

Presidenti Putin ka të ngjarë ta ketë pranuar intervistën me zotin Carlson sepse ai mendon se kjo do ta ndihmojë fushatën e tij, thotë Mikhail Rubin, zëvendës kryeredaktor i gazetës investigative ruse “Proekt Media”. Zoti Carlson “duhet ta kuptojë se është pjesë e fushatës zgjedhore për president dhe fatkeqësisht do ta ndihmojë (Putinin)” , tha zoti Rubin për Zërin e Amerikës. Ai shtoi se intervista e zotit Carlson ka gjasa që të përdoret për ta shfaqur Moskën nën një dritë pozitive.

“Gjëja më e rëndësishme është që të tregojë se Putini është i hapur dhe se gazetarët amerikanë mund të punojnë në Rusi sepse është një vend i hapur dhe i lirë”,tha zoti Rubin.

Por kjo nuk është e vërtetë, tha zoti Rubin, i cili u detyrua të largohej nga Rusia në vitin 2021 për arsye sigurie.

“Nëse shkoj në Rusi, me sa di unë, do të arrestohem menjëherë”, tha zoti Rubin, i cili është vëndosur në Uashington. “Nuk jam i sigurt se do ta shoh përsëri babanë tim”.

Gazetarë të tjerë rusë ndanë kritika të ngjashme në rrjetet sociale.

“Jam si qindra gazetarë rusë, që u është dashur të mërgojnë për të vazhduar raportimet për luftën e Kremlinit kundër Ukrainës. Alternativa tjetër është burgu”, tha në rrjetin X gazetarja ruse Yevgenia Albats. Ndërkohë Calson qëndroi në hotelin Ritz në Moskë që kushton 1000 dollarë nata.

Carlson u kritikua gjithashtu për shpërfilljen e gjendjes së rëndë të lirisë së shtypit në Rusi. Shumë gazetarë janë arrestuar dhe shumë të tjerë janë detyruar të largohen nga Rusia.

“Justifikime se nuk ka raportime të mjaftueshme nga gazetarët amerikanë në Rusi për sulmin e Kremlinit ndaj Ukrainës, kur dy prej tyre, Evan Gershkovich dhe Alsu Kurmasheva, janë burgosur pikërisht se bënin atë punë”, shprehej në rrjetin X Max Seddon, shef i byrosë së gazetës “Financial Times” në Moskë.

Gazetari amerikan Evan Gershkovich, që punon me gazetën “Wall Street Journal” u arrestua në mars të vitit 2023 nën akuza për spiunazh, të hedhura poshtë rreptësisht nga ai, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane.

Alsu Kurmasheva, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse, redaktore e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, që është në të njëjtën agjenci si Zëri i Amerikës, u burgos në tetor të vitit 2023 dhe akuzohet se nuk u regjistrua si “agjente e huaj” dhe për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse. Ajo dhe punëdhënësi i saj i hedhin poshtë akuzat.

Përveç Kurmashevës dhe Gershkoviçit, të paktën 20 gazetarë të tjerë u burgosën në Rusi deri në fund të vitit 2023, sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se intervista u regjistrua të martën.

Intervista ka të ngjarë të publikohet të enjten, sipas gazetës “Wall Street Journal”. Vetë Carlson njoftoi se intervista do të ngarkohej e plotë dhe e paredaktuar në faqen e tij në Web dhe rrjetin X, ku ai transmeton emisionet e tij pas pushimit nga “Fox News” vitin e kaluar.

Zoti Carlson drejtonte një emision lajmesh në rrjetin FOX që nga viti 2016. Pushimi i tij nga puna erdhi pasi Fox News ra dakord t’i paguante firmës “Dominion Voting Systems” mbi 787 milionë dollarë për të zgjidhur një padi për shpifje lidhur me pretendimet e rreme për zgjedhjet e vitit 2020, shumë prej të cilave të transmetuara nga vetë zoti Carlson.

Rrjeti Tucker Carlson nuk iu përgjigj menjëherë emailit të Zërit të Amerikës për të komentuar.

Pasi akuzoi mediat amerikane për intervista të buta me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zoti Carlson ngriti pretendime se “asnjë gazetar perëndimor nuk ka marrë mundimin të intervistojë presidentin e vendit tjetër në këtë konflikt, Vladimir Putin-in”.

Gazetarët shfaqën kritikat e tyre në median socaile edhe për këtë rast.

“A mendon vërtet Tucker-i që ne gazetarët nuk jemi përpjekur çdo ditë ta intervistojmë Presidentin Putin që nga agresioni në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës?", shkruante në rrjetin X gazetarja e CNN Christiane Amanpour. “Është absurde, ne do të vazhdojmë të kërkojmë për një intervistë, ashtu siç kemi bërë prej vitesh.”

Madje edhe Kremlini komentoi lidhur me faktet.

“Zoti Carlson e ka gabim. Në fakt, ai nuk mund ta dijë këtë”, tha zëdhënësi Peskov, duke shtuar se Kremlini merr shumë kërkesa për intervista me Putinin.

XS
SM
MD
LG