Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të premten se vendimi i autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb ka për qëllim spastrimin etnik të serbëve ndërsa tha se do të kërkojë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në Beograd pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
“Qëllimi dhe pjesa e parë e gjithçkaje për të cilën do të flas sot, është spastrimi etnik i popullatës serbe nga territori i Kosovës, apo si thuhet në Konventën e Gjenocidit, nënshtrimi i qëllimshëm i serbëve ndaj kushteve të padurueshme jetese”, tha presidenti serb duke nënvizuar se me marrëveshjet e Brukselit, Serbia ka të drejtë të financojë institucionet serbe në Kosovë.
“Ne besojmë se regjimi i Kurtit do të vazhdojë me përçarje dhe marifete të reja, besoj se do të ndërmarrin veprime kundër jetës normale të serbëve, sepse e vetmja mënyrë për të fituar, siç mendojnë ata, është që të mos ketë më serb në Kosovë. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që serbët të mbeten në Kosovë”, tha ai.
Presidenti serb tha se do të gjejë një zgjidhje qoftë edhe përmes bankave private për të kryer pagesat ndaj qytetarëve serbë.
Autoritetet në Kosovë kanë lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb, mes shqetësimeve të diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja.
Komisioni Evropian shprehu sot siç tha keqardhjen për vendimin e autoriteteve në Kosovë që është miratuar pa këshillime paraprake.
“Nuk e kemi kritikuar Kosovën për vendosjen e euros apo vendimin se cila valutë duhet të përdoret. Kemi komentuar vetëm faktin se ky vendim u miratua pa këshillime paraprake. Sepse në këtë moment keni njerëz, institucione, përfshirë edhe spitale të cilat veprojnë në një kuadër, duke marrë ndihmë financiare nga Serbia, dhe ato duhet të kenë kohë të mjaftueshme që të përgatiten”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer.
Departamenti amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për dinarin dhe bëri thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë, i cili nuk është këshilluar paraprakisht.
Lexoni edhe këtë DASH: Kundërshtojmë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin dinarit serbKryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha sot se dinari serb ka qenë gjithmonë i paligjshëm në vend dhe është keqpërdorur nga Serbia për financimin e strukturave paralele.
“Të cilat nuk është se kanë qenë vetëm mjekët edhe mësuesit por kanë qenë edhe persona që kanë kryer veprime ilegale shumë të rrezikshme të cilët e kanë cenuar sigurinë e shtetit tone”, tha zoti Konjufca.
Autoritetet në Prishtinë thanë se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje, por presidenti serb hodhi poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës që Serbia vazhdon ta kundërshtojë.