Banka Qendrore e Kosovës nxori një rregullore të re sipas së cilës monedha e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro, një vendim që nxiti shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i kësaj rregulloreje është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se këtë shqetësim ia ka transmetuar të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak gjatë një takimi përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Unë i paralajmërova dhe u kërkova që të ndihmojnë në ndalimin e përpjekjes së (Albin) Kurtit për të shkatërruar dialogun sepse Kurti dëshiron të pengojë pagesën e pagave dhe pensioneve për njerëzit tanë në shëndetësi, arsim, të institucioneve të Serbisë, që do të thoshte jo një heshtje, por një largim me zë të lartë i serbëve nga Kosova”, tha ai duke nënvizuar se ky vendim është kërcënimi më serioz dhe më i madh ndaj dialogut deri më tani.
Edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, tha sot nëpërmjet një reagimi se “vendimi i regjimit të Albin Kurtit që nga një shkurti të heqë përdorimin e dinarit serb në Kosovë është në fakt vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorur armët”.
Ky subjekt shkroi në rrjetet sociale se dhjetëra mijëra serbë jetojnë dhe mbijetojnë në Kosovë dhe se të gjitha institucionet serbe funksionojnë falë kontributeve financiare të Serbisë. Lista Serbe tha se nëse hiqet dinari do të rrezikohet drejtpërdrejt mbijetesa e popullit serb, duke bërë thirrje për ndërhyrje të komunitetit ndërkombëtar.
Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkroi në rrjetet sociale se me rregulloren e re të Bankës Qendrore do të rritet transprenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapёsira e madhe pёr siç tha keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, praktikё kjo e perfeksionuar nga sekserёt politikё nё Beograd.
Zoti Bislimi tha se “këmbëngulja qё edhe mё tej, transferi i parave pёrtej kufirit shtetёror tё bёhet dhe tolerohet nё mёnyrё klandestine, me thasё e vetura individuale, e pastaj tё shpёrndahet pёrmes zyreve tё paregjistruara e të palicensuara, jo vetёm qё ngjason nё ide tё shekullit të 19-të, por edhe synon mbajtjen e qytetarёve pёrfitues nё ilegalitet dhe varёsi konstante nga tё njëjtёt sekserё”, shkroi ai duke nënvizuar se rregullorja e Bankës Qendrore nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё marrëdhënieve mes Kosovёs dhe Serbisë.
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u tha mediave serbe se këtë çështje e ka shtruar në diskutimet me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi dhe ka njoftuar Brukselin zyrtar për të analizuar situatën, por pa dhënë më shumë hollësi.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në dialog që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa në fillim të këtij viti filloi të zbatohet marrëveshja për targat e makinave, moszbatimi i së cilës kishte çuar në tensione dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.
Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.
Qytetarët serbë në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Leposaviçit vazhduan sot ditën e dytë të mbledhjes së nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e mirëpriti vendimin e serbëve për të përdorur siç tha të drejtën demokratike për largimin e kryetarëve në veri. Ai shkroi në rrjetet sociale se “mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës është vendimtare”.
Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri të Kosovës u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës.