Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara besojnë që autoritetet e Kosovës nuk e kanë marrë parasysh gjithë ndikimin që mund të ketë vendimi i Bankës Qendrore sipas të cilit euroja do të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai përsëriti thirrjen që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet derisa të rregullohen të gjitha çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet nga ai.
“Ne besojmë që kjo rregullore mund të ketë pasoja që nuk janë menduar mirë deri në fund. Prandaj po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të Kosovës ta shtyjnë zbatimin e disa pjesëve të saj. Kjo kërkesë është për t’u siguruar se autoritetet në Kosovë i kanë bërë të gjitha përgatitjet që garantojnë se popullata nuk do të ndikohet negativisht, njerëzit që kanë qenë duke i pranuar pagat e tyre në një mënyrë të caktuar, kanë aranzhmane për t’i marrë këto paga në atë mënyrë”, tha ai.
Mëngjesin e së hënës ambasadori Hovenier diskutoi për këtë çështje në një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli, pas të cilit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara mbi ndikimet e mundshme të këtij vendimi te komuniteti pakicë serb në Kosovë.
“Ne absolutisht respektojmë autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar transaksionet financiare në gjithë Kosovën, dhe unë besoj që një pjesë e kësaj rregulloreje është në linjë me atë që ne dhe shumë të tjerë kemi kërkuar për një kohë të gjatë – sigurimi i mekanizmave kontrollues për të shmangur krimet financiare si shpëlarja e parave apo financimi i terrorizmit. Megjithatë ne besojmë që ka nevojë për kohë, ka nevojë për një periudhë kalimtare që mundëson rregullimin e disa çështjeve të cilat ne besojmë që nuk janë rregulluar ende”, tha ambasadori amerikan.
Banka Qendrore e Kosovës në një njoftim për media pas takimit tha se “është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Guvernatori i BQK-së e njoftoi (ambsadorin amerikan Jeff Hovenier) specifikisht se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Për më tepër, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”, thuhet në njoftim.
Të dielën nëpërmjet një komunikate të përbashkët ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar kërkuan pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, ndërsa theksuan se çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Lexoni edhe këtë Quint: Të pezullohet vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit serbQeveria e Kosovës nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave perëndimore për shtyrje të zbatimit të vendimit i cili pritet të hyjë në fuqi të enjten e kësaj jave. Por zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, javën që shkoi tha se Banka Qendrore është autoriteti i vetëm që zbaton politikat monetare në vend dhe çdo trysni ndaj vendimeve saj paraqet ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.
Vendimi i Bankës Qendrore ka nxitur reagimin e Beogradit por edhe të përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilët e vlerësojnë atë si përpjekje për dëbimin e komunitetit serb, i cili përdor dinarin për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri të Kosovës.
Kjo çështje ishte temë diskutimesh në takimin ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, i cili sot po qëndron në Beograd ndërsa nesër pritet të qëndrojë në Prishtinë.
“U përqendruam në perspektivën strategjike për vitin 2024, diskutuam për pasqyrën e gjendjes së dialogut dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, shkroi zoti Lajçak në rrjetet sociale pas takimit.
Ndërkaq presidenti serb Vuçiç tha se i ka kërkuar zotit Lajçak mbështetjen e Bashkimit Evropian për të “ndalur provokimet e mëtejshme nga Prishtina”.
“Nënvizova nevojën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe mbajtjtes së zgjedhjeve në veri sa më parë që të jetë e mundur”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se vizita e zotit Lajçak është vazhdimësi e përpjekjeve për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet dialogut, në kuadër të të cilit tha se duhet të trajtohet edhe vendimi i Bankës Qendrore për dinarin serb.
“Ky vendim ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, veçanërisht nëpër shkolla dhe spitale, institucione këto në të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i duhur tash për tash. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërmuese të serbëve të Kosovës, të cilët marrin paga dhe ndihmë financiare nga Serbia. Duke pasur parasysh pasojat e mundshme të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të trajtohet në kuadër të dialogut”, tha zoti Stano.
Ai tha se kërkesa e Bashkimit Evropian është që Kosova të sigurojë një periudhë të mjaftueshme kohore e cila mundëson gjetjen apo negocimin e një zgjidhjeje.