Shtatëmbëdhjetë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u betuan të mërkurën në Prishtinë për të shërbyer si pjesë e Korpusit të Paqes.
Ceremonia e betimit pasoi përgatitjet 10 javëshe në disa zona të Kosovës, para se të nisin punën, disa prej tyre në shkolla për të ndihmuar nxënësit që të mësojnë gjuhën angleze dhe disa të tjerë në organizata joqeveritare dhe institucione komunale në vend, për dy vitet e ardhshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Drejtoresha e Korpusit të Paqes për Kosovën, Carolyne Siganda, tha se vullnetarët nga 14 zona të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, do të ndihmojnë rreth një mijë e 500 nxënës në dhjetë shkolla anembanë Kosovës.
“Shpresat që kemi për ju janë të shumta, janë një mijë e 500 nxënës në dhjetë shkolla anembanë Kosovës që presin të ndajnë Kosovën me ju, ashtu siç e ndani ju Amerikën me ta. Kemi dhjetë organizata të shoqërisë civile dhe qeverisjes komunale që po u shërbejnë mbi 30 mijë përfituesve në mbarë Kosovën, të cilët presin nga ju që t’u bashkoheni 100 për qind dhe t’u ndihmoni për të pasur një ndikim pozitiv në Kosovë”, tha ajo.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, shprehu bindjen se puna e vullnetarëve do të ushtrojnë ndikim të prekshëm pozitiv në komunitetet ku veprojnë.
“Kam parë në vazhdimësi rezultatet e punës dhe përkushtimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe se çfarë kanë bërë ata për ta çuar përpara misionin për paqe dhe miqësi në shumë vende, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Kam parë vullnetarë duke punuar në shkolla rurale, në organizata të vogla joqeveritare. Shumë prej jush do të mbani orë mësimi në shkolla fillore por edhe të mesme dhe kjo punë e juaja do t’i hap rrugët e komunikimit ndërmjet të rinjve në Kosovë dhe komunitetit amerikan”, tha ambasadori Hovenier.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë është shembull i ndritshëm i miqësisë së palëkundur ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Lidhja jonë shkon larg përtej marrëdhënieve diplomatike. Është e rrënjosur thellë në vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë, shërbimit dhe përpjekjes për të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes është një shembull i ndritshëm i këtij partneriteti. Të gjithë ju jeni duke ndihmuar në shkrimin e kapitullit të ardhshëm në historinë tonë të përbashkët, një që është plot me shpresë, bashkëpunim dhe respekt të dyanshëm”, tha presidentja Osmani.
Vullnetarët thanë se janë mirënjohës për mikpritjen në Kosovë ndërsa shprehën gatishmërinë e tyre për të shërbyer në të mirë të komunitetit.
“Kosova na mësoi rëndësinë e takimit në kafiteri, tani ne shpesh takohemi dhe pimë kafe, sidomos ne që jetojmë në fshat. Ne gjithmonë duam të ndajmë përvojat tona në familje dhe në shkollë si për shembull cfarë kemi ngrënë sot, unë kam ngrënë fli, unë pite me spinaq ose oriz me pulë. Ne arritëm të njohim njëri tjetrin më shumë sepse ishte e vështirë për të gjithë ne të linim shtëpitë dhe familjet tona për dy vjet. Me mësimin dhe adaptimin tonë ne ndamë shprehjet si ‘cka me bo’ e cila na ndihmoj gjatë trajnimit t’i tejkalojmë vështirësitë”, tha vullnetari Andrew Fellows.
“Pas kësaj ceremonie e dimë që na pret një rrugëtim tjetër i bukur, mezi kemi pritur t’i shohim dhe takojmë familjet në komunitet dhe kolegët tanë të rinj. Me shpresë që do të sjellim një perspektivë të re në identitetin dhe kulturën tonë, ne jemi të vendosur të mësojmë dhe t’i ndihmojmë edhe më shumë Kosovës. u jemi pafundësisht falënderues të gjitha familjeve nikoqire, shkollave publike, organizatave joqeveritare dhe institucioneve të Kosovës që hapën dyert e tyre për ne”, tha vullnetari Peter Appleby.
Ky është grupi i tetë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë. Grupi i parë qëndroi në Kosovë në vitin 2014, një vit pasi që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje ndërshtetërore për hapjen e programit të parë të këtij Korpusi. Që atëherë mbi 200 vullnetarë kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të këtij programi.
Korpusi i paqes është themeluar nga Presidenti John Kennedy në mars të vitit 1961. Që atëherë më se 200 mijë amerikanë kanë shërbyer në 140 vende të ndryshme të botës në çështje që nga lufta kundër sëmundjeve, në fushën e arsimit, teknologjisë informative e deri te mbrojtja e mjedisit.