Kosovë, KQZ i hap rrugë organizimit të peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi të hënën se i është përgjigjur kërkesës së kryesuesve të kuvendeve komunale në tri komuna të banuara me shumicë serbe në veri, për t’i hapur rrugë organizimit të peticioneve për largimin e kryetarëve aktual të këtyre komunave.

Zëdhënësi i Komisionit të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se kryesuesit e kuvendeve komunale të Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, janë njoftuar me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar.

Përgjigja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pasoi një nismë të disa qytetarëve serbë në veri të Kosovës, të cilët në fillim të muajit dhjetor dorëzuan kërkesën për organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave sipas një udhëzimi administrativ që ishte miratuar nga qeveria e Kosovës në fillim të muajit shtator.

Lexoni edhe këtë Kosovë, qeveria publikon dokumentin që i hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri përmes peticionit

Sipas udhëzimit administrativ, kërkesa për peticion duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Nënshkrimet duhet të mblidhen në një afat brenda 30 ditësh me mundësinë e zgjatjes së afatit edhe për 15 ditë tjera ndërsa do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Për të larguar kryetarin e një komune përmes peticionit sipas dokumentit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Nëse dështon peticioni, nuk do të mund të organizohet peticioni i radhës para 12 muajsh.

Ndryshimet ligjore kishin për synim hapjen e rrugës për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore që nuk pranohen nga qytetarët serbë që paraqesin shumicën në zonë dhe uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.