Kosovë, protestë kundër dhunës ndaj gruas

Katër karroca fëmijësh u vendosën të enjten në sheshin qendror të Prishtinës si simbolikë e fëmijëve që lënë prapa vetes gratë e vrara si pasojë e dhunës e familje.

Kjo veprimtari ishte pjesë e një proteste që u mbajt sot në Prishtinë kundër dhunës ndaj gruas, nxitur nga vrasja e Liridona Ademajt javën e kaluar, e cila la pas vetes dy fëmijë.

Bashkëshorti i saj aktualisht ndodhet në paraburgim bashkë me dy të tjerë, nën dyshimet se ka organizuar vrasjen e 30 vjeçares, në një ngjarje që ka ngjallur reagime në shkallë të gjerë në Kosovë.

Me thirrjet “edhe sa?” dhe “vrasësit në burg”, dhjetëra qytetarë parakaluan qendrës së Prishtinës me kërkesat për më shumë siguri për gratë dhe dënim maksimal për kryesit e dhunës ndaj tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu për t’i thënë stop femicidit, për t’i thënë stop vrasjes së grave dhe shtypjes së tyre. Sot kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe për të gjitha vajzat e gratë e vrara, kërkojmë dënim maksimal për kriminelët përkitazi me ligjin”, tha Nertila Qarri Gërguri nga organizata “Artpolis”.

Policia e Kosovës tha se nga janari deri në tetor të këtij viti në Kosovë, janë raportuar mbi dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Nëntëdhjetë për qind e viktimave të kësaj dhune janë gratë.

Veprimtarët humanitarë thonë se mungesa e pavarësisë ekonomike të grave është një nga sfidat kryesore për riintegrimin e të mbijetuarave të dhunës.

Qeveria e Kosovës publikoi sot masë mbështetëse për punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje, të cilave do t’iu mbulojë 70 për qind të pagës për gjashtë muajt e parë të punës.

“Edhe në bazë të kontakteve tona me të mbijetuarat e dhunës, pra kontaktet që i kemi në terren me to por edhe nga informacionet që kemi marrë nga strehimoret dhe nga databaza e ministrisë së Drejtësisë, shumica e grave të cilat janë të mbijetuara të dhunës në familje janë të papuna. Pra sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës si dhe strehimit”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Duke u dhënë mundësinë për të punuar dhe një burim të të ardhurave, atyre u jepet një shans i ri për të rimarrë kontrollin e jetës së tyre. Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë veten financiarisht, ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënia e dhunshme dhe të fillojnë një jetë të re normale”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në Kosovë që nga përfundimi i luftës 66 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre