Arrestohet në Turqi i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup

  • Isak Ramadani

Lupço Palevski

I dyshuari kryesor për vrasjen e vajzës 14-vjçare në Shkup, Lupço Palevski – Pallço është arrestuar në Turqi, njoftuan autoritet në orët e vona të së martës. Ai u largua fillimisht drejt Beogradit dhe më pas në Bullgari përpara se të mbërrinte në Turqi.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski konfirmoi në orët e vona të së martës arrestimin e të dyshuarit nga policia turke. Ai tha se policia i ka dorëzuar lëndën përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme dhe tani organi hetues do të merret me çështjen.

Për këtë krim akuzohen pesë individë. I akuzuari kryesor, për të cilin Ministri Spasovksi përmendi inicivialet L.P. por që tashmë dihet se është Lupço Palevski, akuzohet për veprën rrëmbim dhe vrasje; tre të tjerë akuzohen për rrëmbim dhe ndihmë në vrasje, ndërsa njëri akuzohet për dhënie të informatave që çuan në rrëmbimin e Vanja Gjorçevskës.


Lupço Palevski është ndaluar dhe arrtestuar nga policia turke në qytezën Balikesir, rreth 280 kilometra në jug të Stambollit. Shkupi po përgatit dokumentet për ekstradimin e tij.



Ministri Spasovski tha në një konferencë shtypi se me arrestimin e të dyshuarit kryesor mbyllet “hallka e fundit e aktit mizor”. Ai falënderoi vendin mik, Turqinë, siç u shpreh ai, si dhe Serbinë, Bullgarinë për angazhimin dhe ndarjen e informatave lidhur me lëvizjen e autorit të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares.



Në mes të ndaluarve është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Për të thuhet se i ka dhënë hollësi të dyshuarit kryesor lidhur me lëvizjen, përkatësisht për ditën dhe orën kur vajza e tij shkonte në shkollë e pashoqëruar.



Vanja Gjorçevska u rrëmbye në hyrje të ndërtesës, në qendër të Shkupit. Organet e rendit thanë se atë e kishin lidhur dhe futur në një thes dhe ishte dërguar në fshatin Brazdë në veri të Shkupit me një veturë të markës Citroen. Punonjësit e rendit thanë se ajo ishte ekzektuar tre orë më pas në fshatin Brazdë.

Motivi i rrëmbimit dhe vrasjes, sipas autoriteteve, duket të jetë përfitimi material ose zhvatja e nënës së vajzës, e cila ishte e divorcuar nga bashkëshorti. E ëma, Zorica kishte shitur së fundmi një banesë të trashëguar nga prindërit e saj.



Autori i dyshuar i vrajes, Lupço Palevski – Pallço njihej si biznesmen në fushën e ndërtimit, por dhe politikan i një partie të parëndësishme, e quajtur “E Djathta”, por dhe nxitës i urrjetjes në rrjetet sociale dhe në një portal.

Tre nga bashkëpartiakët e tij janë po ashtu të akzuar për pjesëmarrje në këtë vepër. Palevski akuzohet edhe për vrasjen më 24 nëntor të një 74 vjeçari nga Velesi, vetura e të cilit ishte përdorur për rrëmbimin e vajzës nga Shkupi. Vetura u gjet e djegur pranë fshatit Brazdë, ndërsa në afërsi edhe trupi i pajetë i Vanja Gjorçevskës.


Rasti ka ngjallur zemërim, shqetësim dhe frikë jo vetëm tek nxënësit e shkollës ku mësonte viktima, por edhe tek prindërit e tyre dhe opinioni më i gjerë publik.