Policia e Kosovës tha të premten në mbrëmje se ka arrestuar dy persona, nën dyshimin për vrasjen e një gruaje 30 vjeçare, dy ditë më parë në Prishtinë.
Njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i së vrarës,
“Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, ka realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar për vrasjen si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dy ditë më parë, Liridona Murseli, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një makinë në kryeqytet. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje. Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitjen e tij derisa ndodhej duke lëvizur me makinë më gruan dhe dy fëmijët.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, tha në një postim në rrjetet sociale se sipas dyshimeve “bashkëshorti i viktimës ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.
“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, shkroi zonja Haxhiu.
Vrasja e 30 vjeçares në Prishtinë ndodhi në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “bashkë kundër dhunës - sot dhe çdo ditë tjetër”.
Rrjeti i Grave të Kosovës nëpërmjet një reagimi kërkoi hetim me urgjencë për ndriçimin e këtij rasti.
“Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit”, thuhet në reagim.
Veprimtarët humanitarë në vazhdimësi tërheqin vërejtjen se dhuna në familje, që në të shumtën e rasteve është dhunë ndaj gruas, vazhdon të jetë një nga dukuritë më shqetësuese në Kosovë. Ndonëse dhuna në familje ka shënuar rritje viteve të fundit, raportimi i saj në Kosovë mbetet sfidues meqë një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon ta shohë atë si problem që duhet të trajtohet brenda familjes.