Sterilizimi, Gjykata konfirmon masat e sigurisë ndaj Beqajt

  • VOA

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në dalje nga Gjykata e posaçme

Në Tiranë Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit konfirmoi sot masat e sigurisë ndaj ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i vënë nën hetim për procedurat e koncensionit të sterilizimit të pajisjeve kirugjikale. Ish ministri, i cili dyshohet për "shpërdorim detyre" në bashkëpunim, deklaroi në dalje të Gjykatës se “unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor, dhe përtej opinionit që mund të kem, apo rezervave të avokatëve të mi, kam vendosur të mos e kundërshtoj atë vendim”.

Lexoni edhe këtë Sterilizimi, detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë vendit për ish ministrin Ilir Beqaj

Gjykata ka vendosur se zoti Beqaj do të duhet të paraqitet një herë në javë pranë një oficeri të policisë gjyqësore si dhe nuk mund të largohet nga vendi. Sipas hetimeve përllogaritja e kostove të sterilizimit, rezulton të ketë qenë e fryrë, dhe ai në funksionin e ministrit, dyshohet ta ketë toleruar dhe të mos ketë ndërhyrë për ta anulluar atë. Po ashtu prokuroria thotë se zoti Beqaj, nuk mori masa për të vënë në punë Qendrën shtetërore të sterilizimit dhe nuk kreu asnjë studim për të vlerësuar nëse vënia e saj në funksion do të ishte apo jo më ekonomike se formula e Partneritetit Publik Privat, dhe se nuk ka vepruar për të parandaluar konfliktin e interesit mes sipërmarrësit Ilir Rrapaj dhe ish zëvendës ministrit Klodian Rrjepaj të cilët rezultojnë të kenë një njohje të vjetër e të shtrirë në kohë. Të dy u arrestuan në gusht të këtij viti.

Lexoni edhe këtë SPAK arreston për koncensionin e sterilizimit ish zv.ministrin e Shëndetësisë Rrjepaj dhe biznesmenin Rrapaj

Në atë kohë, Gjykata bëri një vlerësim të detajuar të dosjes së paraqitur nga prokurori i çështjes, ku zoti Beqaj nuk rezultonte i përfshirë. Gjykata vuri në dukje se “pavarësisht qëndrimit të prokurorisë, nga analiza e provave të administruara dhe të para në unitetin e tyre, në to evidentohen shkelje të akteve ligjore e nënligjore, të cilat ngrihen në nivelin e përgjegjësive penale për ish ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe ish ministrin e Financave Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimit publik”.

Por zoti Beqaj, edhe sot, sikundër në mënyrë të përsëritur dhe më parë, ka përsëritur se ”unë vazhdoj të besoj se çfarë kemi bërë në shëndetësi ka qenë një gjë e mirë dhe ka sjellë një përmirësim rrënjësor për shëndetin e shqiptarëve. Për çështjen në fjalë në janar bëhen 8 vjet që hetohet. Në këto 8 vjet, çdo ditë në të gjitha sallat kirurgjikale të Shqipërisë, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkëkohore, sterile, çdo vit rreth 60 mijë shqiptarë operohen në kushte sterile, dhe në çdo operacion financave të shtetit shqipar i kursehen 2.4 dtë qëndrimi në spital”, deklaroi ai.

Lexoni edhe këtë Sterilizimet, gjykata kërkon të ndriçohen lidhjet e ish-Ministrit Ilir Beqaj me aferën

Hetimi megjithatë nuk ka patur në fokus nëse duhej përmirësuar ose jo procesi i sterilizimit, por procedurat e ndjekura të cilat janë gjetur në shkelje. Kontrata fillestare ishte parashikuar që për 10 vite të kushtonte 100 milionë euro, ndërsa në fakt, sipas përllogaritjeve, pritet të rritet me afro 50 për qind. Prokuroria ka vënë në dukje kosto të fryra artificialisht, dhe një studim fizibiliteti po ashtu të manipuluar. E gjitha për të favorizuar kompaninë që sipas hetimeve dyshohet se ishte paracaktuar për shkak të lidhjeve mes sipërmarrësit shqiptar Rrapaj dhe drejtuesve të atërhershëm të ministrisë së Shëndetësisë.