Lidhje

SPAK arreston për koncensionin e sterilizimit ish zv.ministrin e Shëndetësisë Rrjepaj dhe biznesmenin Rrapaj


SPAK Godina
SPAK Godina

Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme SPAK arrestoi sot ish zëvendës-ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë dollarë 8 vjet më parë.

SPAK arreston për koncensionin e sterilizimit ish zv.ministrin e Shëndetësisë e biznesmenin Rrapaj
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

SPAK arrestoi po ashtu si të dyshuar për mashtrim biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncensionin në dhjetorin e 2015, megjithë dyshimet e menjëhershme për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

6 persona të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar SPAK arrestoi sot nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentash në bashkëpunim dhe mashtrim ish zëvendësministrin e shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë dollarë të 8 vjetëve më parë.

Ai nënshkroi kontratën e koncensionit së bashku me ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj në dhjetor 2015.

Biznesmeni Rrapaj u arrestua dje në mbrëmje nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, i sapokthyer nga jashtë Shqipërisë, ndërsa Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar miratoi masa arresti edhe për 7 zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë me të njëjtat akuza për falsifikim dhe shpërdorim detyre

Krahas dy arresteve me burg, dy zyrtarë të tjerë Saimir Kadiu drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në ministri, janë në arrest shtëpie.

Ndërsa 4 të tjerë janë nën detyrim paraqitje nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, si dhe Pertef Mersini, Genc Burazeri, Naile Ajazi.

SPAK i kërkoi urdhër arrestet Gjykatës së Posaçme qysh në fund të qershorit, por u zbatuan dje dhe sot, ndërsa pritej që biznesmeni Rrapaj të kthehej në Shqipëri.

Prokuroria e Posaçme theksoi në njoftimin publik se po vazhdon hetimet mbi “përgjegjësitë penale të personave të tjerë, të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës”.

Mësohet se gjatë miratimit të arresteve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka orientuar SPAK-un që të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani si dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur lidhje, dyshime për shkelje ligjore dhe dijeni për këtë koncension.

SPAK ka marrë dëshmi edhe nga ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me të cilin biznesmeni Rrapaj kishte vendosur kontakte të shpeshta. Hetimet vazhdojnë ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të vihet apo jo nën akuzë edhe zoti Beqaj.

Në të kaluarën ai i ka hedhur poshtë dyshimet për favorizime korruptive në kontrata. Ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u thirr sot në SPAK për shpjegime mbi çështjen.

“Unë kam zbatuar vetëm ligjin. Kam ndjeur procedurat rutinë të verifikimit të dokumentacionit. Biznesmenin Rrapaj nuk e njoh, nuk kam pse ta njoh dhe as nga ta njoh. Pse ta njoh? Apo që duhej të më jepte edhe mua disa para ai?! Ç’do ai me mua?! Ministri i financës nuk ka asnjë lidhje me këtë”, tha zoti Cani për shtypin pasi doli nga SPAK.

SPAK njoftoi se proçedimi penal i regjistruar në vitin 2020 mbi koncensionin e dhënë nga ministria e Shëndetësisë për sterilizimet mjekësore përfshin veprat penale “Shpërdorim detyre”

në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, si dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Por asnjë nga 8 personat e vendosur nën masa sigurimi nga nuk shënohet si i dyshuar për korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë dhe shkelja e barazisë në tendera, e ndërsa hetimet vazhdojnë, mbetet për t’u parë nëse nën këto dy akuza do të përfshihen edhe zyrtarë të tjerë.

Nisma Thurrja, organizata që bëri kallzimin në dhjetor 2019, nxiti SPAK-un që “të mos kufizohen në nivelin e funksionarëve publik, por të çojnë përpara drejtësisë politikanët e lartë duke nisur që nga ish ministri Ilir Beqaj e deri ku arrin zinxhiri i vendimmarrjes”.

Drejtuesi i Nismës Thurrje, Endri Shabani, reagoi sot me një mbështetje për SPAK-un, që po heton këtë çështje, duke theksuar se “çdo hap në hetimin e kësaj çështje është një hap në rikthimin e besimit tek drejtësia”.

Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë iu dha kompanisë SaniService, një bashkkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Kontrata e Partneritetit Publik-Privat parashikonte sterilizim të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale.

Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi.

Dyshime të tjera lindën lidhur me vlerën e kontratës, që bazohej në një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit. Kompanisë fituese iu dorëzua një qendër moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vua asnjëherë në funksionim.

Prokuroria e Tiranës deklaroi në vitin 2016 se kontrata e sterilizimit nuk ka elementë të veprës penale dhe e mbylli dosjen hetimore, që hapi me nismën e saj, por hetimi rinisi pas pas 3 vitesh kur Nisma Thurrje dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar.

Opozita mbështeti SPAK-un, duke e nxitur që t’i shkojë kësaj çështje deri në fund. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, dhe “SPAK duhet t’i shkojë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi”.

XS
SM
MD
LG