Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten në lexim të parë projekt buxhetin prej 3.3 miliardë eurosh për vitin 2024, mes debatesh për rrepta ndërmjet qeverisë dhe opozitës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se një pjesë e madhe e buxhetit është përqendruar te mbrojtja dhe siguria, duke mos lënë anash edhe përpjekjet për ngritjen e shkallës së punësimit në vend.
“Për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Ndërkaq sa i përket sektorit publik siç kemi thënë edhe në shkurt të këtij viti, koeficienti i pagave në sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro”, tha kryeministri Kurti duke theksuar se me këtë buxhet “forcohet mbrojtja e Republikës, rritet siguria e qytetarëve dhe e mundësohet zhvillimi i vendit”.
Partitë opozitare kritikuan qeverinë, duke theksuar se buxheti nuk përfaqëson kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve si dhe nuk përkon me zotimet e qeverisë.
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se qeveria në vazhdimësi ka përkeqësuar strukturën e buxhetit të shtetit.
“Nëse e krahasoni vitin 2017 me 2022 investimet kapitale kanë rënë nga 36 për qind në 16 për qind të buxhetit, ndërkaq subvencionet janë rritur nga 23 në 41 për qind të buxhetit, kjo është arsyeja që nuk shohim efekt real në rritjen ekonomike në vend”, tha zoti Hoti duke kritikuar mungesën e politikave të reja fiskale në buxhet si dhe përkeqësimin, siç tha, të kushteve të të bërit biznes.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “investimet kapitale të shtuara vetëm për 48 milionë euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023 nuk janë realizuar dhe barten në vitin buxhetor 2024”.
Me miratimin në parim të këtij projektligji, fillojnë afatet kohore brenda të cilëve opozita ka mundësinë të dërgojë vërejtjet e saj lidhur me buxhetin, i cili sipas planifikimeve të qeverisë pritet të dalë në votim për miratim përfundimtar me 14 dhjetor.