Forcat palestineze të sigurisë në Ramallah hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, që hodhën gurë dhe brohorisnin kundër Presidentit Mahmud Abbas të martën, ndërsa po rrritet zemërimi pas një sulmi vdekjeprurës në spitalin e Gazës, për të cilin palestinezët fajësuan Izraelin.
Sulmi në spitalin Arab Al-Ahli të Gazës, në të cilin zyrtarët thanë se u vranë rreth 500 njerëz, është incidenti më vdekjeprurës në Rripin e Gazës që kur Izraeli filloi një fushatë ushtarake në shenjë hakmarrje ndaj sulmit terrorist të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Militantët e Hamasit vranë 1400 njerëz gjatë një sulme në disa qytete të Izraeli më 7 tetor.
Ushtria izraelite mohoi përgjegjësinë për sulmin në spitalin e Gazës, duke thënë se shpërthimi kishte ndodhur si pasojë e dështimit gjatë lëshimit të një rakete të grupit Xhihadi Islamik.
Sulmi u dënua nga perëndimi dhe bota arabe. Pas sulmit u zhvilluan protesta para ambasadave të Izraelit në Turqi, Jordani dhe pranë ambasadës amerikane në Liban.
Në Bregun Perëndimor, ku zoti Abbas po kthehej të martën pasi anuloi një takim të planifikuar në Jordani me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden, qindra njerëz marshuan në sheshin qendror të qytetit të Ramallahut, me brohoritje në mbështetje të udhëheqësve militantë të Hamasit.
Përleshjet me forcat palestineze të sigurisë shpërthyen edhe në qytete të tjera të Bregut Perëndimor, duke përfshirë Nablusin, Tubasin dhe Jeninin.
Shpërthimi i protestave në Bregun Perëndimor nxjerr në pah zemërimin e palestinezëve me Presidentin e Autoritet Palestinez, Mahmoud Abbas, partia e të cilit është përballur prej kohësh me kritika për koordinim me Izraelin për sigurinë në territorin që ajo e kontrollon.