Lidhje

Sulm i rëndë në spitalin e Gazës


An injured person is assisted at Shifa Hospital after an Israeli air strike hit the nearby Al-Ahli Hospital, according to Gaza Health Ministry, in Gaza City, Gaza Strip, Oct. 17, 2023.
An injured person is assisted at Shifa Hospital after an Israeli air strike hit the nearby Al-Ahli Hospital, according to Gaza Health Ministry, in Gaza City, Gaza Strip, Oct. 17, 2023.

Një shpërthim masiv në një spital të qytetit të Gazës, i mbushur me të plagosur dhe palestinezë të tjerë që kërkonin strehim vrau qindra njerëz, tha Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi. Zyrtarët e grupit militant të Hamasit thanë se shpërthimi u shaktua nga një sulm ajror izraelit, ndërsa ushtria izraelite tha se spitali u godit nga një raketë e lëshuar nga militantët palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se të paktën 500 njerëz janë vrarë në sulmin në spitalin al-Ahli al-Arabi.

Shpërthimi masiv ndodh ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bindin Izraelin që të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe përpara mbërritjes së Presidentit Joe Biden në Lindjen e Mesme.

Qindra palestinezë kanë gjetur strehë në al-Ahli dhe spitale të tjera në qytetin e Gazës në ditët e kaluara, në përpjekje për të shpëtuar nga bombardimet pasi Izraeli urdhëroi të gjithë banorët e qytetit dhe zonave përreth që të evakuoheshin në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Hamasi e quajti sulmin e së martës ndaj spitalit "një masakër të tmerrshme", duke thënë se ajo ishte shkaktuar nga një sulm izraelit.

Megjithatë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “terroristët” në Rripin e Gazës e kanë sulmuar spitalin, jo ushtria e Izraelit.

Forca Mbrojtëse e Izraelit tha se militantët palestinezë kishin lëshuar një breshëri raketash pranë spitalit në atë kohë. "Informacionet e zbulimit nga burime të shumta, që i kemi në duart tona tregojnë se Xhihadi Islamik është përgjegjës për lëshimin e dështuar të raketës", thuhet në një deklaratë të Forcës Mbrojtëse të Izraelit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se është i indinjuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës dhe ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare që të mbledhë informacione për atë që ka ndodhur.

Jam i indinjuar dhe i trishtuar nga shpërthimi në spitalin Al-Ahli el-Arabi në Gazë, i cili shkaktoi viktima, tha presidenti Biden përmes një deklarate të martën ndërsa po udhëtonte drejt Izraelit.

"Shtetet e Bashkuara mbështesin mbrojtjen e civilëve gjatë konfliktit dhe ne ndajmë dhimbjen me familjet e pacientëve, personelit mjekësor dhe personave të tjera të pafajshëm, të vrarë ose të plagosur në këtë tragjedi", thuhet në deklaratën e Presidentit Biden.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se është i tmerruar nga vdekja e qindra njerëzve në sulmin ndaj spitalit në Rripin e Gazës.

“Spitalet dhe personeli mjekësor janë të mbrojtura nga ligjet ndërkombëtare”, shkroi Guterres në platformën X.

Hamasi, që është përgjegjës për sulmin terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, në të cilin u vranë 1400 njerëz dhe ka refuzuar të njohë shtetin hebraik, tha se "bashkësia ndërkombëtare dhe vendet arabe dhe islamike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur pushtimin dhe ushtrinë fashiste (të Izraelit)”.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi të martën dënoi përmes një deklarate “sulmin izraelit ndaj spitalit në Gazë”, të cilin e quajti “një shkelje të qartë të ligjeve ndërkombëtare”.

Sulmi u dënua nga perëndimi dhe bota arabe. Pas sulmit u zhvilluan protesta para ambasadave të Izraelit në Turqi, Jordani dhe pranë ambasadës amerikane në Liban.

XS
SM
MD
LG