Shqipëri, planet për goditjen e dy prokuroreve, ambasada amerikane: Thellësisht të shqetësuar

Ambasada amerikane në Tiranë

Në Shqipëri, ambasada amerikane u shpreh sot tejet e shqetësuar për rastin e dy prokuroreve të cilat ishin vënë në shënjestër të një grupi kriminal që sipas të dhënave të autoriteteve drejtohej nga Laert Haxhiu. Informacionet për goditjen e mundshme të dy prokuroreve, Doloresa Musabelliu e Prokurorisë së Posaçme dhe Merita Selimi, e cila kishte punuar në prokurorinë e Lushnjes, por e shkarkuar në muajin korrik, për shkak të procesit të Vettingut, iu dhanë autoriteteve nga Artan Tafani, një prej anëtarëve të grupit të Haxhiut, tanimë një i penduar i Drejtësisë.

Prokurorja Selimi kishte hetuar Haxhiun për një vrasje të kryer gati 6 vjet më parë në Lushnje, dhe duke e klasifikuar vrasjen si një akt të kryer nga një grup i organizuar kriminal, ia përcolli dosjen Prokurorisë së Posaçme. Këtu ishte prokurorja Musabelliu e cila dënoi me burgim të përjetshëm dy bashkëpunëtorë të Haxhiut. Për këtë të fundit, vendimi nuk u shpall duke qenë se ai është arrestuar nga autoritetet greke dhe pritet ekstradimi i tij. Sipas Tafanit, grupi i Haxhiut, prej muajsh po ndiqte lëvizjet e dy prokuroreve për të përgatitur vrasjen e tyre ose të familjarëve të tyre.

Në deklaratën e ambasadës amerikane theksohet se “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike”. Më tej deklarata, ndërsa nënvizon se “hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje”, shpreh dhe “mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara, për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre”.

Të dy prokuroret u vunë menjëherë në mbrojtje. Në një takim të pak ditëve më parë më Këshilin e Lartë të Prokurorisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla, paralajmëroi një qasje të re për mbrojtjen e magjistratëve e cila siç tha ai do të zbatohet shumë shpejt. Zoti Balla po ashtu shtoi se “për Prokurorinë Speciale AntiKorrupsion, edhe Gjykatën e Posaçme, do të ketë një vëmendje më të shtuar, sepse ligji ia ka dhënë këtë vëmendje dhe të jeni të sigurt, që secila nga institucionet e varësisë së Ministrisë që unë drejtoj, qoftë Policia e Shtetit, qoftë Garda e Republikës, do të rrisin, le të themi, masat e sigurisë për të garantuar që këto institucione do të bëjnë detyrën e tyre”.

Lexoni edhe këtë Operacioni “Never Forget”, arrestohen 12 të dyshuar për 6 vrasje dhe shumë krime të tjera në Shqipëri

Bashkëpunimi i Tafanit me prokurorinë e Elbasanit, bëri që javën e shkuar, autoritete të arrestonin të paktën 12 persona, anëtarë të grupit të Haxhiut, të dyshuar për të paktën 6 vrasje dhe një numër të lartë krimesh të tjera, të kryera në Shqipëri dhe jashtë saj.