Në Shqipëri policia arrestoi dje dhe sot 12 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë, si të dyshuar për 6 vrasje, 3 përpjekje për vrasje, 5 shpërthime të pronave me dinamit, 2 grabitje me dhunë, si dhe zbardhje e dy vrasjeve të kryera në Greqi. Vrasjet me paramendim dhe për gjakmarrje, si dhe krime të tjera janë kryer në Korçë, Elbasan, Peqin, Lushnje, Tepelenë, Durrës dhe Tiranë në vitet 2021-22.
Të arrestuarit janë Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romacka, Erisiano Abedini, Bledar Berberi, Maringlen Topuzi, Bujar Abedini, Enriko Xhahysa, Klea Gjata, Idriz Manej, Fatjon Veliu, Laert Haxhiu. Ky i fundit përmendet nga policia si pjesëmarrës i dyshuar në pothuaj të gjithë vrasjet dhe episodet e dhunshme, që janë renditur në njoftimin zyrtar për këtë grup.
Drejtuesit e policisë pohuan se tashmë janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale kundër personit dhe pronës, të ndodhura më parë brenda dhe jashtë vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, tha para mediave se operacioni rriti sigurinë publike dhe ndriçoi një seri krimesh prej angazhimit të një policie përherë e më profesionale.
Ministri i punëve të brendshme, Taulant Balla, vlerësoi policinë për “zbardhjen e 16 ngjarjeve të rënda kriminale”, dhe ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me forcat e rendit për të goditur së bashku paligjshmëritë dhe për rritur nivelin e sigurisë në komunitet.
Operacioni “Never Forget” u shtri në Elbasan dhe Tiranë, dhe u bazua të dhënat e një të penduari, i cili gjithashtu u arrestua.